Mirditë, aksidentohet deputeti demokrat
MIRDITE - Deputeti i Mirditës, Gjovalin Prenga, pësoi aksident dje ndërsa po kthehej nga Tirana për në banesën e tij në Rrëshen. Prenga, përfaqësues i Partisë Demokratike doli jashtë rrugës në vendin e quajtur Fierzë, në Rubik, ndërsa mjeti drejtohet prej tij. Mësohet se Prenga ishte i vetëm në makinë, pavarësisht se shteti i paguan një tjetër drejtues mjeti. Sipas policisë, në Fierzë ai doli nga rruga duke rënë në një arë të punuar të këtij fshati. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30, ndërsa deputeti kthehej nga seanca e djeshme parlamentare. Banorët e zonës kanë mundur t’i japin ndihmën e parë dhe e dërguan të plagosurin menjëherë në spitalin e Rrëshenit. Burime spitalore bënë të ditur se Prenga ka pësuar dëmtime në trup. Gjithashtu është dëmtuar edhe në fytyrë, por mjekët e Rrëshenit pas konsultave vendosën që ta mbajnë aty, duke mos e transportuar në ndonjë spital tjetër. Policia e sinjalizuar për aksidentin mbërriti dje në vend dhe nisi hetimet për të përcaktuar shkaqet. Paraprakisht dyshohet se për aksidentin e deputetit shkak të ketë qenë një dremitje e lehtë e tij si dhe reshjet e shiut. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk është konstatuar shpejtësi shumë e madhe e makinës që drejtohej nga vetë Prenga. Gjithsesi, policia bëri të ditur se kjo ngjarje do të hetohet. r.n