Superliga, 600 mijë euro për të drejtën televizive
Leonard Karaj
E drejta televizive e sezonit të ri futbollistik 2009-2010 mund të arrijë shifrën e 600 mijë eurove.Kjo gjë ka dalë nga mbledhja e djeshme e zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit nga drejtuesit e kësaj të fundit, kompanisë që do të shesë këtë të drejtë dhe klubeve të Superligës.
Si fillim u tha se shifra do të ishte jo më pak se 300 mijë euro. Por kjo do të vinte gjithnjë e në rritje në varësi të ofertave që do të vinin. E sigurt është vetëm se klubet që kanë pasur nga një kontratë televizive sezonin e kaluar do të marrin pak a shumë dyfishin e asaj shume. Por nuk mbaron me kaq. Klubet do të marrin para nga kjo e drejtë bazuar në renditjen e sezonit 2008-2009 si dhe të disa koefiçinetëve të vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Formula ka qenë mjaft e vështirë për t’u kuptuar edhe nga vetë drejtuesit e klubeve shumica e të cilëve kanë kërkuar kohë para se të japin konsensusin e tyre mbi këtë të drejtë. Mbi të gjithë ka qenë Tirana, e cila ka pohuar se do të mbledhë pikë së pari kryesinë e klubit që të diskutojë ofertën. Ndërsa nga ana tjetër Refik Halili ka pohuar se me shumë gjasa klubi bardheblu nuk do të pranojë këtë ofertë pasi është shumë herë më e vogël nga sa duhej që realisht sipas tij të merrte klubi i Tiranës.
E drejta televizive jepet për herë të parë në kampionatin shqiptar dhe nga ajo do të përfitojë ndonëse në sasi shumë më të vogla edhe klube të Kategorisë së Parë. Mbi të gjithë do të jetë Partizani dhe Elbasani, dy “big” që militojnë këtë sezon në këtë kategori. Duhet theksuar se Partizani ka pasur një kontratë gjatë sezonit të kaluar me Vizion + ndaj klubi i Bert Xhanit do të mund të përfitojë diçka më tepër sesa homologët në këtë kategori. Gjithsesi kjo shumë nuk do të jetë më e madhe sesa i një klubi të Superligës. Këta të fundit do të përfitojnë në bazë të kontratave që kanë pasur sezonin e kaluar, nëse kanë pasur (rezultojnë vetëm Tirana, Vllaznia dhe Flamurtari) dhe më pas do të merret parasysh edhe renditja gjatë sezonit të kaluar. Ekipet që mund të përfitojnë më pak janë debutuesit e Kategorisë Superiore, Gramozi, Kastrioti, Laçi dhe Skënderbeu, skuadra këto që me shumë gjasa do të marrin të njëjtën shifër nga paketa e të drejtës TV.