Abiati: Konkurrenca s’më tremb
Kristian Abiati vazhdon të jetë jashtë fushave të lojës, që pas operacionit të kryer më 30 mars të këtij viti, si pasojë e dëmtimit të pësuar në Siena. Portieri i Milanit ka filluar punën për rikuperimin e dëmtimit dhe është shumë i uritur për t’u rikthyer të luajë si titullar. Gjithsesi, për momentin, Abiati shtyn shokët e tij ta nisin pozitivisht sezonin e ri dhe të tregohen sa më agresivë në fushën e blertë.
Kristian, fillimisht cila është gjendja juaj fizike?
Deri në javën e kaluar jam stërvitur në palestër, por tani kam filluar të kryej edhe disa ushtrime force në fushë, gjithashtu edhe ato çfarë trajneri im (i portierëve) më kërkon të bëj që të rikuperoj sa më parë gjendjen fizike. Besoj se këto stërvitje në fushë janë ushtrime që më ndihmojnë më tepër psikologjikisht, pas një periudhe të gjatë dëmtimi. Për momentin ndihem mjaft mirë dhe ky fakt më bën optimist se mund të kthehem shumë shpejt.
Çfarë ndjeni kur shihni shokët që stërviten të gjithë së bashku, e sidomos tani që çdo fundjavë do të zbresin në fushën e lojës?
Nuk është aspak e lehtë, sepse në këtë moment nuk ndihem pjesë e grupit, pasi unë stërvitem në orare të ndryshme nga pjesa tjetër e skuadrës. Megjithatë mundohem që sa herë që takohem me ta, të komunikoj e të mësoj diçka më shumë mbi risitë që pritet të paraqesë skuadra në sezonin e ardhshëm, ndonëse ndeshjen kundër Juventusit e shijova dhe skuadra më pëlqeu.
Marko Storari po tregon gjëra të mrekullueshme, që te Milani nuk kishte pasur mundësinë t’i tregonte më parë.
Tani mjaft me këto aludime! Besoj se një portier mund të tregojë realisht se sa vlen vetëm duke luajtur me vazhdimësi. Vitin e kaluar ishte shumë e vështirë, me tre portierë të një niveli të lartë. Ndërkohë që sivjet jemi katër dhe padyshim që të gjithë do luftojmë për të luajtur sa më shumë. Pavarësisht kësaj, e rëndësishme është që ndërmjet nesh të ekzistojë gjithmonë një shoqëri e pastër.
Fati bën që Milani në ndeshjen e parë të Serisë A të udhëtojë në Siena, pikërisht aty ku ju keni pësuar dëmtimin.
Stadiumi i Sienës nuk përbën një kujtim të bukur për mua, por këto janë gjëra që ndodhin në jetë, ndodhin në profesionin tonë. Mua më ndodhi të dëmtohesha në moshën 32-vjeçare, por më mirë tani se sa më vonë. Këtë vit do të jetë e vështirë për mua, sepse sapo të rikuperohem, do të mundohet të rifitoj vendin e titullarit dhe do të bëj të pamundurën që të bind trajnerin për cilësitë e mia.
Çfarë Milani prisni në sezonin e ardhshëm?
Sigurisht një Milan të ndryshëm, më duket shumë më i uritur, me shumë dëshirë për të vrapuar dhe fituar në fushë. Nëse duam të bëjmë diferencën me skuadrat e tjera dhe të fitojmë titullin, duhet të vrapojmë më shumë në fushë, të jemi më agresivë, të jemi të gatshëm të sakrifikohemi për njëri-tjetrin. Pastaj përsa i përket spektaklit, për atë do të mendojnë kampionët e shumtë, që nuk na kanë munguar kurrë.
Berluskoni: Nesta-Tiago si dyshja Maldini-Barezi
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, pas ndeshjes së mirë të zhvilluar nga skuadra e tij kundër Juventusit, ka mbetur shumë i kënaqur nga reparti i mbrojtjes, ku veçon punën e shkëlqyer të bërë nga dyshja e qendrës, Alesandro Nesta-Tiago Silva. “Tiago Silva është shumë i fortë dhe me rikthimin e Alesandros padyshim që kemi njërën nga dyshet difensive më të forta në botë. Pse jo, shpresojmë që me bashkëpunimin e dy kampionëve tanë t’i rikthehemi niveleve të dyshes së dikurshme, Maldini-Barezi”.