E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Me këta futbollistë përmbys edhe botën”

 

Mbrëmjen e së martës, klubi i Çelsit e gjeti veten në krye të renditjes me gjashtë pikë, ndërsa edhe njëherë tjetër arriti të përmbysë rezultat edhe të shijojë fitoren 3-1 kundër Sanderlendit në “Stadium of Light”. Darren Bent kaloi fillimisht në avantazh vendasit, por Balak, Lampard dhe Deko shënuan secili nga një gol në pjesën e dytë dhe bënë që “blutë” të vijojnë ecurinë perfekte për këtë sezon. “Jam shumë i lumtur. Luajtëm me të vërtetë shumë mirë. Madje edhe kur ishim në disavantazh, ne po kontrollonim gjithë lojën,- tha Ançeloti për “The Daily Mail”. - Sanderlend u tregua shumë i fortë në pjesën e parë, por u lodhën shpejt dhe ishte tepër e vështirë për ta të kontrollojnë lojën tonë. Në pjesën e dytë bëra disa ndryshime, për vetë faktin se kam shumë lojtarë cilësorë në skuadër dhe dua t’i angazhoj të gjithë nga pak minuta. Mendoj se kam në dispozicion një skuadër mjaft kompetitive me të cilët mund të fitoj gjithçka”, tha trajneri italian. Ançeloti mori drejtimin e skuadrës së Çelsit qershorin e këtij viti pas shtatë sezonesh në krye të Milanit. Në ndeshjen e parë në “Stamford Bridge” skuadra e tij arriti të fitojë ndaj Hull Sitit në një takim rekambolesk ku blutë e Londrës u gjendën në disavantazh që në fillim të takimit. Më pas u desh një dopietë e Didier Drogba që debutimi i Ançelotit të ishte rezultativ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›