E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do te mbulojë të gjitha shpenzimet për oficerët në selitë diplomatike

Çfarë përfitojnë ata dhe familjet e tyre nga ky vendim i ri. Me urdhër të Këshillit të Ministrave, shpenzimet do të mbulohen nga Ministria e Brendshme

Laureta Rryçi

Tiranë - Qeveria vendos të mbulojë të gjitha shpenzimet për oficerët e Ministrisë së Brendshme që do të emërohen nëpër selitë diplomatike të vendit tonë. Sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, që janë të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, tani e tuje duhet të përballojnë edhe shpenzimet e punonjësve shqiptarë që shërbejnë si oficerë kontakti pranë ministrive të brendshme të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të vendit tonë. Falë këtij vendimi do t’u mbulohen shpenzimet publicitare në interes të Policisë së Shtetit, shpenzimet për udhëtime dhe dieta jashtë vendit pritës, kur këto kryhen në interes po të Policisë së Shtetit.
Vendimi
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar që Ministria e Brendshme do të mbulojë shpenzimet për këtë kategori duke përfshirë në listë edhe marrjen e apartamentit, karburantin, taksat për banesën si dhe shkollimin. Gjithashtu, në vendim thuhet se duhet të mbulohen nga shteti edhe shpenzimet për zyrën, kancelarinë dhe uniformat që do të përdorë kjo kategori oficerësh. Të gjitha udhëtimet jashtë vendit pritës që do të bëjnë këta oficerë për arsye pune, sërish do t’u mbulohen shpenzimet nga shteti shqiptar. Mirëpo vendimi nuk i ka përfshirë vetëm ata si individë, por edhe rastet kur ata janë të martuar dhe kanë familje.
Përfitimet
Për shpenzimet që janë të përshtatshme të kryhen në vendin pritës, oficeri i kontaktit dërgon ofertat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila përzgjedh dhe miraton ofertën më të përshtatshme, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin e prokurimit publik. Kur oficeri i kontaktit dërgohet me shërbim jashtë shtetit pritës ose kur vjen në atdhe ndërkohë që në shtetin ku kryen detyrën ka lënë bashkëshorten dhe fëmijët, merr 100 për qind të trajtimit financiar të dhënë për përkujdesje ndaj familjes së tij. Kur oficeri i kontaktit shtrohet për kurim në institucionet shëndetësore të shtetit ku kryen detyrën ose në ndonjë shtet tjetër, ai do të vazhdojë ta përfitojë pagesën dhe trajtimin financiar të dhënë për përkujdesjen ndaj familjes së tij. Oficeri i kontaktit gëzon të drejtën e pushimeve javore, të pushimeve në ditët e festave zyrtare dhe të pushimit vjetor të paguar për kohën që është me detyrë jashtë shtetit. Ministria e Brendshme nuk merr përsipër shpenzimet e kthimit në atdhe të oficerit për lejen e zakonshme. Me miratimin e ministrit të Brendshëm, vetëm në rast fatkeqësie, oficerit të kontaktit dhe familjarëve shoqërues u paguhen shpenzimet e udhëtimit për ardhjen në atdhe dhe kthimin në vendin e huaj. Ministria e Brendshme, për oficerët e kontaktit dhe pjesëtarët e familjes që janë në ngarkim të tyre përballon sigurimet e detyrueshme sipas legjislacionit të shtetit ku ata janë ngarkuar me detyrë. Oficeri i kontaktit dhe familjarët e tij kanë të drejtë që me miratimin e eprorit direk dhe sipas rregullave të Policisë së Shtetit për raste urgjencash, të mjekohen në vendin ku oficeri kryen detyrën edhe në atë rast mund të mos jetë parashikuar sigurimi shëndetësor.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›