Pukë, viti shkollor rrezikon dështimin ende pa nisur
PUKE - Megjithëse fillimi i vitit shkollor është në prag, vështirësitë për një proces normal në rrethin e Pukës janë prezent ende pa nisur. Mungesa në bazë materiale, vonesat në hartimin e projekteve nga drejtuesit vendorë, si dhe emigrimi i shumë familjeve duke sjellë edhe uljen e numrit të nxënësve në shkolla, janë disa nga problemet me të cilat do të përballet arsimi në rrethin e Pukës gjatë këtij viti shkollor. Ka qenë vetë drejtori i Arsimit në Pukë, Hilë Boçi, që i ka ngritur këto shqetësime në një takim pune të organizuar nga prefekti i qarkut Shkodër, Maxhid Cungu. Boçi ka pohuar se këtë vit mund të bëhet bashkim i nxënësve në shkolla të përbashkëta, por kjo kërkon financim nga qeveria për të shlyer detyrimet në transport. Pajisja e shkollave me stufa për ngrohje ishte shqetësimi tjetër i ngritur, kur dihet se Puka ka dimër të zgjatur e me temperatura të ulëta. Një tjetër problem me të cilin janë të detyruar të përballen nxënësit në qytetin e Pukës, është ndërtimi i një mininënstacioni elektrik vetëm 10 metër larg mureve të shkollës së mesme "Sabah Sinani". Me gjithë shqetësimin e ngritur nga banorët, si dhe ndërhyrjen e bërë nga kryebashkiaku Rustem Struga, punimet nuk janë ndërprerë. "Ngritja e këtij objekti afër shkollës është një vendim e veprim absurd i marrë nga drejtuesit lokalë të KESH-it", u shpreh Boçi. Prindërit dhe mësuesit kanë kërcënuar se nëse nuk prishet do të bojkotohet mësimi. r.d