Kultivonte bimë narkotike në banesë, arrestohet
Një 24-vjeçar nga qyteti i Korçës u arrestua nga Sektori i Luftës kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë, pasi ai akuzohet për kultivim të bimëve narkotike Cannabis sattiva. Gjithçka ka ardhur pas një operacioni policor i iniciuar nga një informacion i marrë në rrugë operative. Zëdhënësi i Policisë së Korçës deklaroi për mediat se “bima narkotike u gjet e kultivuar në tarracën e banesës së 24-vjeçarit Olger Pano, banor i Lagjes Nr. 4 në Korçë, tashmë i arrestuar”. Ky nuk është rasti i parë kur një person arrestohet pasi pas kontrolleve policore në pronat e tyre gjenden bimë narkotike Cannabis sattiva.
Aksidentohet me makinë 25-vjeçari, shkak shpejtësia
Një 25-vjeçar u aksidentua rëndë të enjten pas mesdite, kur mjeti me targa italiane që ai drejtonte doli nga rruga në aksin Peqin-Elbasan. Zëdhënësja e Policisë së qarkut të Elbasanit tha për mediat se “Idajet Gryka ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Elbasanit ku iu nënshtrua një operacioni”. 25-vjeçari udhëtonte me mjetin tip “Ford Fiesta” me targa italiane kur u aksidentua rreth orës 12:30. Grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe hetoi për zbardhjen e këtij rasti. Sipas burimeve policore mendohet se aksidenti u shkaktua nga shpejtësia e madhe me të cilën lëvizte mjeti.
Plagos një kalimtar në rrugë, prangoset
Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 22-vjeçarin Erneo Farruku, lindur dhe banues në fshatin Armathë të Shijakut, i dyshuar si autor i një aksidenti rrugor me pasojë plagosjen e një kalimtari. Sipas të dhënave policore, Farruku, duke drejtuar automjetin e tij tip “Land Rover” me targë YH 07 ZTK, në rrugën automobilistike Manëz-Maminas, në fshatin e quajtur Rubjekë ka aksidentuar 61-vjeçarin Shefqet Bici, banues i këtij fshati.
Si pasojë e këtij aksidenti Bici ka pësuar dëmtime trupore dhe tashmë ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë shëndetësore.
28 Gusht 2009