“Katër mijë ha tokë për pronarët”
ADI SHKEMBI
Qeveria identifikon 4 mijë ha tokë në bregdet që do të përdoret për kompensimin fizik të ish-pronarëve, ndërkohë që edhe 2 mijë ha të tjerë janë duke u verifikuar. Këtë e bëri të ditur dje zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, gjatë një konference për shtyp. Pak ditë pas urdhrit të Kryeministrit Berisha për përgatitjen e aktit ligjor për përcaktimin e procedurave, grupi ad hoc i ngritur për këtë qëllim ka bërë gati albumin me 4 mijë ha në pesë qytete dhe dy liqene të vendit. “4000 (katër mijë) hektarët e parë të identifikuar në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut si dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe Ohrit, do të vihen në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve. Nga grupi ad hoc i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve përsos 4000 ha tashmë të përvijuar, deri tani janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë”, theksoi dje Bregu. Burime nga Këshilli i Ministrave bëjnë të ditur për gazetën “Panorama”, se zona në Kavajë, Durrës, Kurbin, Lezhë dhe Shkodër janë identifikuar si tokë publike dhe do të kalojnë në favor të ish-pronarëve që kanë kërkuar kompensimin fizik. Sipas zëdhënëses së qeverisë, njëherësh edhe ministre e Integrimit, zgjidhja e çështjes së pronësisë në vend do të ndikojë pozitivisht në thithjen e investimeve të huaja në vend. “Zgjidhja e këtij problemi është jo vetëm një detyrim absolut për kompensimin e shtresës së ish-pronarëve, jo vetëm një kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian, por ndihmon edhe në zhvillimin e ekonomisë si dhe në thithjen e investimeve në Shqipëri”, theksoi më tej Bregu. Pak ditë më parë, duke folur në mbledhjen e radhës së qeverisë, Kryeministri Berisha theksoi se kthimi i këtyre pronave tek ish-pronarët ndihmon në uljen e faturës së përgjithshme në këtë drejtim, pasi sipas tij vetëm me kompensimin financiar një gjë e tillë është e pamundur.