E Diel, 1 Nëntor 2026

Tumoret dhe veshkat,aparatura të reja për QSUT

 

zirina llambro

Një prej terapive më të rëndësishme për gratë me tumore të qafës së mitrës. Ajo që njihet me emrin e vjetër “Kyriterapia” ka ekzistuar në spitalin Onkologjik edhe në kohën e diktaturës. Por që prej më shumë se 10 vjetësh i mungonte këtij spitali. Me gjithë investimet disa milionë euro, e premtimet e bëra në këtë hark kohor, nuk u pa e arsyeshme të blihej një aparaturë e re që mundëson rrezet e përqendruara në tumoret e qafës së mitrës. Në gjuhën shkencore quhet akseleratori linear. Më në fund brenda këtij viti do të instalohet në QSUT. Këtë bën me dije drejtoria e këtij spitali, e cila ka vënë si prioritet kryesor pajisjen e pavijoneve me një teknologji të re. “Me anë të akseleratorit linear, pacientët nuk do të marrin më rreze të tepërta në të gjithë trupin, siç ndodh tani me kobaldoterapinë, por rreze të përqendruara te masa tumorale”, pohojnë specialistët. Ata nënvizojnë se ky trajtim është mjaft i efektshëm.
Në këtë rast, pajisja punon nëpërmjet lazerit. Ndërsa Kobalto-terapia e përdorur në vendin tonë, prej vitesh nuk është më pjesë e aparaturave spitalore në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo pasi ajo i përket një teknologjie të 30 viteve më parë. Në vendin tonë zbulohen rreth 200 raste të reja me kancer të qafës së mitrës. Pjesa më e madhe e tyre paraqiten në spital në stad të avancuar. Në mungesë të terapisë së avancuar, pacientët trajtohen me kimioterapi e rrezatim prej kombaldit. Por këshilla e mjekëve që i dinë pasojat, është trajtimi jashtë vendit. Veç blerjes së akseleratorit linear, në QSUT do të blihet edhe pajisja e liptotripit, që shkrin gurët në veshka. Edhe kjo aparaturë mungon prej më shumë se 6 vitesh në spital, pas prishjes së asaj ekzistuese. Mjekët e kanë ngritur disa herë këtë problem duke i kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të sjellë një aparaturë të re. Në mungesë të saj, pacientët ose duhet të drejtohen në klinikat private dhe të paguajnë rreth 60 mijë lekë të reja për shkrirjen e gurëve, ose të futen në operacion. Në mungesë të parave, kjo zgjidhje ka qenë më e shpeshta në klinikat kirurgjikale të QSUT. Në vendin tonë gurët në veshka janë një prej patologjive më të shpeshta tek kjo kategori të sëmurësh. Me blerjen e aparaturës së re, pacientëve jo vetëm që do t’u kursehen paratë, por do të shpëtojnë edhe nga “thika” e panevojshme.

Monitorimi dhe standardet
Veç pajisjes me aparatura të reja nga ku vit spitalet do të monitorohen nga ISKSH-ja. Ky institut do  t’i kontrollojë për pjesën e financimit. Një rol themelor i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë, e cila, sipas vendimit të qeverisë, brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim. Spitali ushtron veprimtarinë e tij bazuar në këto standarde dhe mund të
rivlerësohet çdo vit. Në këtë mënyrë pritet rritet cilësia e shërbimit ndaj pacientëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›