E Diel, 1 Nëntor 2026

“Krimi, para në prona të patundshme”

 

TIRANE

Raporti për vitin 2008 i Departamentit Amerikan të Shtetit për pastrimin e parave, e shënjestron Shqipërinë si një vend me rrezik të ndjeshëm. Po kështu me tone aspak optimiste, madje negative, në të njëjtin raport shkruhet edhe për trafiqet dhe kontrabandën. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Shqipëria nuk konsiderohet një rajon i rëndësishëm financiar apo zonë qendrore. Por, sipas të njëjtit, Shqipëria është “një vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve dhe njerëzve dhe me kontrabandë”. Në të njëjtën linjë, Shqipëria mbetet një rrezik i ndjeshëm për pastrimin e parave. Sipas DASH “Burimi më i madh i aktiviteteve kriminale në vend janë trafikimet, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi. Shqipëria vazhdon të jetë një burim për trafikun e qenieve njerëzore. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë burimet më të dukshme të pastrimit të parave, por esenca e saktë për të cilën kontribuojnë këto aktivitete të ndryshme ilegale është e panjohur”.
Komisioni Evropian në nëntor 2008, në raportin e  progresit mbi Shqipërinë identifikon korrupsionin, deficitet e gjyqësorit, politizimin e shërbimeve civile dhe krimin e organizuar, si problemet më të mëdha në Shqipëri. Raporti tregon gjithashtu se pastrimi i parave, krimi i organizuar dhe trafiku i drogës janë “shqetësime serioze” që tregojnë se Shqipëria ka bërë “progres të limituar” në luftën e  saj kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Po sipas DASH “Kriminelët shpesh investojnë para të papastra në prona të patundshme dhe projekte të zhvillimit të biznesit. Për shkak të niveleve të larta të konsumimit të importeve dhe kontrolleve të dobëta të doganave, Shqipëria ka një treg të konsiderueshëm të zi për mallra të caktuara kontrabandë si duhani, bizhuteritë dhe telefonat celularë. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë, si një bazë për operacione për kryerjen e aktiviteteve kriminale në vende të tjera dhe shpesh i kthejnë përfitimet e tyre ilegale në Shqipëri”.
Paratë jashtë bankave
Sipas DASH, një tjetër problem për Shqipërinë është edhe lëvizja e të hollave jashtë bankave. “Për shkak të ekonomisë së Shqipërisë, veçanërisht në sektorin privat, problematike mbetet pagesa e bazuar në kesh, kështu që të ardhurat nga aktivitetet ilegale pastrohen me lehtësi në Shqipëri. Autoritetet e doganave shqiptare raportojnë se elementët e krimit të organizuar i pastrojnë të ardhurat e aktiviteteve të tyre ilegale, duke dërguar paratë kontrabandë brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke përdorur tregti ndërkombëtare dhe praktika mashtrimi nëpërmjet bizneseve të import/eksportit. Sipas bankës së Shqipërisë (Banka Qendrore), 23 për qind e parave që qarkullojnë janë jashtë sistemit bankar, krahasuar me një mesatare prej 10 për qind që është në vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore në ekonomitë në tranzicion”, shkruhet në raportin e DASH.

pikat e raportit per pastrimin e parave

    Shqipëria është një vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve dhe njerëzve dhe me kontrabandë

    Shqipëria mbetet një rrezik i ndjeshëm për pastrimin e parave

    Burimi më i madh i aktiviteteve kriminale në vend janë trafikimet, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi

    Shqipëria vazhdon të jetë një burim për trafikun e qenieve njerëzore. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë burimet më të dukshme të pastrimit të parave, por esenca e saktë për të cilën kontribuojnë këto aktivitete të ndryshme ilegale është e panjohur

    Kriminelët shpesh investojnë para të papastra në prona të patundshme dhe projekte të zhvillimit të biznesit. Për shkak të niveleve të larta të konsumimit të importeve dhe kontrolleve të dobëta të doganave, Shqipëria ka një treg të konsiderueshëm të zi për mallra të caktuara kontrabandë si duhani, bizhuteritë dhe telefonat celularë

    Për shkak të ekonomisë së Shqipërisë, veçanërisht në sektorin privat, problematike mbetet pagesa e bazuar në kesh, kështu që të ardhurat nga aktivitetet ilegale pastrohen me lehtësi në Shqipëri

“Shqipëria vend tranzit për heroinën afgane”

“Shqipëria është një vend tranzit për trafikantët e narkotikëve, që transportojnë kryesisht heroinën afgane nga Azia Qendrore në destinacione rreth Evropës Perëndimore”. Përkundër një deklarimi zyrtar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare të bërë vetëm pak ditë më parë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2008 është në vlera krejt negative përsa i përket trafikimit dhe kultivimit të drogave në Shqipëri.
Sipas raportit “në 2008 kapjet e sasive të heroinës dhe marijuanës janë ulur. Kanabisi vazhdon të prodhohet në Shqipëri për tregjet evropiane, por kultivimi është zhvendosur në zonat e largëta malore, në të cilat shteti ka vështirësi të depërtojë. Qeveria shqiptare në përgjigje të presionit ndërkombëtar dhe me asistencën ndërkombëtare, po përballet me elementë kriminalë me më shumë agresivitet, por vazhdon të karakterizohet nga mungesa e burimeve dhe korrupsioni tipik”.
Portet dhe
kufiri me vrima
Në të njëjtën linjë negative në raport përshkruhen edhe masat parandaluese dhe mjetet që përdoren për të ndaluar e minimizuar trafikun e drogave në pikat e kalimit të kufirit. Kështu, sipas raportit “portet e Shqipërisë në Adriatik dhe kufijtë tokësorë, bashkë me një financim të dobët, kanë një polici të menaxhuar keq dhe të papajisur me mjete që të sigurojnë kufijtë dhe doganat. Këto e bëjnë këtë vend një ndalesë atraktive për rrugën e  kontrabandës, për trafikantët që lëvizin ngarkesat e tyre drejt Evropës Perëndimore”. Për më tepër, sipas raportit, marijuana prodhohet në vend për tregje në Evropë, më të mëdhatë e të cilëve janë në Itali dhe Greqi.
Suksesi i vetëm
Por ka edhe një moment kur policia shqiptare merr një plus në luftën kundër trafikut të dogave. Sipas DASH, autoritetet shqiptare kanë bërë të mundur kapjen e sasive të shumta të drogave duke çuar në minimum kapjet në bregun italian. Kështu, sipas DASH ”autoritetet shqiptare raportojnë se nga janari në shtator 2008, policia ka arrestuar 354 persona nga trafiku i drogës, dhe 32 të tjerë janë në vëzhgim. Policia ka sekuestruar rreth 59 kg heroinë, 2092 kg marijuanë dhe 1 kg kokainë. Kjo koincidon me një ulje të dukshme në numrin e drogave të sekuestruara nga autoritete italiane, të cilët për nëntë muajt e parë të vitit 2008 kanë sekuestruar vetëm 10 kg heroinë që vinte nga Shqipëria dhe 4 kg marijuanë. Rritja e sekuestrimit të kokainës në Shqipëri sinjalizon një rritje të lehtë në trafikimin e kokainës në Shqipëri si për konsum vendas edhe për eksport në Greqi apo Itali”.

pika te raportit per problemin e drogave

Korrupsioni
“Korrupsioni mbetet një problem i thellë në Shqipëri. Rrogat e ulëta, pranimi social i ryshfeteve dhe rrjetet sociale të varfra të Shqipërisë e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit mes policisë, gjykatësve dhe oficerëve doganorë, si dhe fenomenin korrupsion dhe krimin e organizuar, trafikun e drogës”.

Natkotrafiku
“Trafikimi i narkotikëve në Shqipëri vazhdon si një nga punët ilegale më fitimprurëse. Grupe të krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si një pikë tranziti për drogat dhe lloje të tjera kontrabande, për shkak të vendndodhjes strategjike të vendit, zbatimit të dobët të ligjit dhe sistemit të pareformuar gjyqësor, si dhe për shkak të kufijve të kontrolluar pak. Shqipëria është një pikë tranziti për heroinën nga Afganistani, i cili trafikon nëpërmjet “Rrugës Ballkanike” të Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri në Itali, Malin e Zi, Greqi dhe pjesën tjetër të Evropës Perëndimore.

Kanabisi
“Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është një prodhues i dukshëm i drogave të paligjshme. Kanabisi është aktualisht droga e vetme e rritur dhe prodhuar në Shqipëri dhe shitet zakonisht në rajonet pranë. Me gjithë programet e vazhdueshme të bashkë sponsorizuara të policisë dhe qeverisë lokale, që kanë ndikuar në uljen e dukshëm të kultivimit të kanabisit, kultivimi sërish vazhdon”.

Përdoruesit
“Sipas profesionistëve të shëndetit, tërheqja e popullsisë është rreth 30,000 përdorues dhe aktualisht regjistrimi i përdorimit të drogës mund të jetë vetëm maja e ajsbergut për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›