E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, PD i përgjigjet Kushtetueses

 

BLEDAR HOTI

Maxhoranca ndryshon ligjin “Për Legalizimet”, duke iu shmangur vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjashtë deputetë të maxhorancës, Ardian Kollozi, Parid Teferiçi, Arenca Trashani, Gjovalin Prenga, Flori Bajramaj dhe Ramiz Çobaj kanë depozituar në Kuvend amendamentin për t’ju përgjigjur kërkesës së Kushtetueses, pas rrëzimit të nenit 7 të ligjit. Duke parë se vendimi i Kushtetueses i dhënë më 2 shkurt sillte bllokimin e procesit të mëtejshëm të legalizimit të zonave informale, deputetët kanë paraqitur ndryshimin, duke synuar zhbllokimin e situatës. Amendamenti i paraqitur sërish nuk e shmang konfliktin ndërmjet organeve të qeverisë dhe atyre të pushtetit vendor. Propozimi synon që nëse shkelen afatet nga bashkitë dhe komunat, ALUIZNI ia merr kompetencat sërish, por kësaj here me anë të afateve që do t’i vendosë Këshillit të Ministrave. “Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës apo këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në amendimin e 6 deputetëve. Gjithashtu propozohet që nisma të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar pikërisht nenin 10 të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Në të theksohej se, “në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI, në përputhje me pikën 4, të nenit 4 të këtij ligji, merr përsipër të ushtrimin e këtyre përgjegjësive”. Nismëtarët në relacionin shpjegues bëjnë të ditur se, “synohet rregullimi i këtij defekti në përmbajtje të ligjit ekzistues, pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dhe disa pika të nenit 4”. Në relacionin shpjegues theksohet se synohet ndreqja e një pasaktësie në referimin e përcaktuar nga një dispozitë te një tjetër e ligjit. Sipas deputetëve firmëtarë, nisma e propozuar nuk ka efekte financiare dhe është në përputhje me Kushtetutën. Ligji i Legalizimeve u miratua nga maxhoranca fillimisht në prill të vitit 2006. Opozita e kontestoi një nismë të tillë, duke votuar kundër propozimit të maxhorancës. Kontestimi i tyre ishte për faktin se ALUIZNI i merrte kompetencat organeve të qeverisjes vendore, duke shkelur Kushtetutën. Pas këtij qëndrimi deputetët e opozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke e ankimuar ligjin. Pas këtij shqyrtimi Kushtetuesja rrëzoi një pjesë të konsiderueshme të ligjit “Për legalizimin e zonave informale”.

Amendimi

Neni 10, paragrafi i fundit ndryshon si vijon“Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI, në përputhje me pikën 4, të nenit 4 të këtij ligji, merr përsipër të ushtrimin e këtyre përgjegjësive”.

ALUIZNI nuk ndal procesin e legalizimeve

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk penalizoi punën e ALUIZNI-t, institucion, i cili vazhdoi hartimin e vendimeve për legalizimin e zonave informale. Më 18 shkurt me propozimin e ALUIZNI-t, Këshilli i Ministrave miratoi listën me pronarët që do të kompensohen. Lista përmbante 1059 familjet që do të përfitojnë nga procesi i legalizimit, si dhe emrat e 342 pronarëve që do të dëmshpërblehen në të holla. Kështu në qarkun e Tiranës përfitojnë tapinë 530 parcela, ku një bllok është në Bashkinë e Kavajës. Gjithashtu në proces përfshihet edhe qarku i Beratit me 21 parcela, qarku i Durrësit me 447 parcela dhe qarku i Fierit me 61 parcela. Në total janë rreth 370 mijë metra katrorë truall, që kalon në pronësi të qytetarëve që legalizohen. “Këto objekte rezultojnë se janë ngritur pjesërisht në troje pronë shtetërore, sipas të dhënave të regjistrimit në regjistrin e pasurive të paluajtshme pranë ZVRPP-ve përkatëse dhe pjesërisht në territore të papërfshira në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, thuhej në relacionin e Qeverisë.

Deputetët firmëtarë

    Ardian Kollozi
    Arenca Trashani
    Gjovalin Prenga
    Parid Teferiçi
    Flori Bajramaj
    Ramiz Çobaj

Përplasjet

Ligji i Legalizimeve ka qenë përherë objekt i debateve mes maxhorancës dhe opozitës. Marrja e kompetencave të Pushtetit Vendor ka qenë pjesë e një konflikti të ashpër ndërmjet demokratëve dhe socialistëve, gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në muajin prill. Përplasja më e madhe ka qenë edhe me ish-pronarët, të cilët kërkojnë që legalizimi i banesave informale të zgjidhej me vetë ato për trojet e tyre të zëna. Vetë shoqata “Pronësi me Drejtësisë” ankimoi ligjin për Legalizimet në Gjykatën Kushtetuese. Ish-pronarët e kanë cilësuar zgjidhjen e ofruar nga ana e qeverisë si antikushtetuese dhe kërkonin që vlera e truallit që do të kompensohej të ishte sipas çmimit të tregut, ku banori
që legalizohej të derdhte shumën te subjektet  e
shpronësuara dhe jo në arkën e shtetit.

Në shkallë vendi, 350 mijë ndërtime

Sipas të dhënave që disponon ALUIZNI, në shkallë vendi janë 350 mijë ndërtime pa leje. Këto ndërtime pa leje janë evidentuar në të gjithë vendin, ndërtime të cilat që prej miratimit të ligjit të parë, atë të 2006-ës, morën një rritje mjaft të madhe. Deri më tani janë dhënë 20 mijë leje për ndërtimet informale nga agjencia shtetërore ALUIZNI, që nga nisja e procesit të legalizimeve. Ndërsa 30 miliardë euro parashikohet të shkojë vlera e kolateralit të zonave të sotme informale pas përfundimit të procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›