E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër për Llapnasellë

Komuna e Prishtinës ua siguron transportin Prishtinë-Llapnasellë katër nxënësve serbë. Kjo është e vetmja mënyrë që ata të mësojnë në gjuhën e tyre, pasi që në Prishtinë, mësimi në serbisht nuk zhvillohet në asnjë shkollë. Familja Savic është falënderuese për institucionet, që ia mundësojnë djalit të saj, Ognjenit, të vazhdojë shkollimin. Nga Lirita Halili më 03 prill 2011 në ora 08:43

Ognjen Savic është njëri ndër katër nxënësit serbë që udhëtojnë çdo ditë prej Prishtinës drejt fshatit Llapnasellë, ku i vijojnë mësimet në shkollën fillore.
Në mënyrë që këta fëmijë të mund të shkollohen pa problem, në gjuhën e tyre, është kujdesur edhe Komuna e Prishtinës, duke nënshkruar kontratë me një kompani transportuese, e cila çdo ditë i transporton këta nxënës në shkollë.

Ognjeni niset për në shkollë pak para orës 12. Kombibusi vjen ta marrë para banesës. “Gjithmonë kombi vjen me rregull, nuk kam asnjë problem me askënd. Të gjithë sillen mirë me mua. Edhe në shkollë mbërrij gjithmonë me kohë falë kombibusit”, tregon Ognjeni për Express.

Ai jeton në banesat e Yu Programit, në lagjen Ulpiana të kryeqytetit, bashkë me nënën dhe gjyshen e tij, Zivka Savic, e cila pjesën më të madhe të kohës kujdeset për të nipin, pasi që nëna e tij punon.

Zivka ka bërë shumë, derisa ka arritur ta sigurojë transportin për Ognjenin. Ajo ka trokitur në shumë dyer të institucioneve të Kosovës në Prishtinë, e gjithashtu edhe në Graçanicë, në mënyrë që nipi i saj të shkollohet si të gjithë fëmijët tjerë. “Pasi që shkolla në gjuhën serbe ndodhet në Llapnasellë, më është dashur që me mund ta siguroj një autobus apo diçka tjetër për udhëtimin e Ognjenit”, rrëfen Zivka.

Ajo thotë se i vetmi problem me vozitësin e kombibusit ka të bëjë me ankesën e tij për disa të holla. “Vozitësi i kaluar, i cili ka bërë transportin e fëmijëve tre vjet para këtij të fundit, është paguar 25 euro nga Komuna. Ndërsa edhe ky i fundit i dërgon, por është ankuar se për t’i kthyer, ai paguan prej xhepit të tij. Mendoj që kjo është një gënjeshtër e kulluar”, pohon Zivka.

Përkundër kësaj, ajo ndihet e lumtur që nuk paguan për transportin e nipit. Megjithatë, sipas Zivkas, ka pasur disa raste kur disa fëmijë të shkollës së mesme është dashur të gjendenë vetë për t’u kthyer nga shkolla.

Por Zivka ka një tjetër shqetësim. Ajo thotë udhëtimi i përditshëm i djalit po ndikon shumë në mësimet e tij. “Atij i duhet të niset në shkollë rreth 30 minuta para fillimit të mësimit, pastaj deri sa të kthehet bëhet ora 6. Kur vjen ha bukë, i bën detyrat dhe fle. Gjithmonë vjen i lodhur. Kjo po ndikon shumë në të”.

Andaj, ajo konsideron se do të ishte mirë që bashkë me nipin e saj, edhe fëmijët tjerë serbë, të vijojnë mësimin në Prishtinë, ndonëse e di mirë që një gjë ë tillë është e pamundur. “Janë vetëm katër nxënës dhe nuk besoj kurrë që vetëm për ta do të mund të ekzistonte një shkollë në Prishtinë”.

Sido që të jetë, e rëndësishme për Zivkan mbetet shkollimi i nipit të saj, pa marrë parasysh se ku ndodhet shkolla. Shprehet e brengosur për, siç thotë, mosinteresimin e institucioneve për serbët e Prishtinës. “Të gjithë janë të painteresuar. Jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe ato të Serbisë. Neve serbëve që jetojmë në Prishtinë na janë mohuar të drejtat.Fëmijët në Graçanicë përveç librave, kanë edhe beneficione të tjera, ekskursione me shkollë e shëtitje, kurse Ognjeni i paguan vetë të gjitha”, thotë ajo.

Megjithatë, Zivka është shumë falënderëuese për institucionet e Kosovës që po ia ndihmojnë shkollimin e nipit.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar kohë më parë se kontrata për transportin e katër nxënësve në relacionin Prishtinë-Llapnasellë i është dhënë kompanisë “Besart Comerce” nga Prishtina, me çmimin prej 27.50 eurosh.

E do Kosovën

Zivka Sacic ka ardhur në Kosovë nga Kroacia. Thotë që ky të ketë qenë një vendim i gabuar për të. Por, tash është mësuar në Kosovë dhe nuk do të largohet kurrë. “Unë shoqërohem me shqiptarë jashtëzakonisht shumë, shkoj në treg, në shitore, iu ndihmoj disave, madje edhe shtëpinë ia kam lënë në shfrytëzim një familjeje të varfër. Unë këtu paguaj qira, por jam mësuar me Kosovën, e dua dhe nuk largohem”, thotë ajo.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›