Pa panik për bukë
Do të vazhdojë mbështetjen për fermerët kosovarë me grante dhe subvencione, madje me buxhetin e këtij viti ka planifikuar dyfishimin e tyre. Nuk e sheh të arsyeshëm panikun e prodhuesve vendorë për grurë, pasi që ministria e udhëhequr nga ai do t’i përkrahë ata në gjetjen e tregjeve të reja, të cilat do të jenë më cilësore dhe do t’u ofrojnë çmime më të lira. Prodhuesit kosovarë do të kenë edhe përkrahjen për eksportimin e produkteve të tyre në tregjet evropiane. Në një intervistë për Express, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci pranon se buxheti për këtë ministri nuk është i mjaftueshëm në krahasim me vendet e rajonit, por thotë se do të angazhohet që nga viti në vit ai të rritet. Me këto mjete, thotë se do t’i përkrahë tre sektorë kyçë në bujqësi - atë të drithërave, blegtorisë dhe hortikulturës. Madje, ai pret rritjen e mjeteve me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
“Ne këtë vit fillojmë me planin operativ, i cili parasheh përkrahjen e sektorit të bujqësisë nëpërmjet dy skemave, asaj me grante dhe subvencione që, krahasuar me vitin e kaluar, janë për 50 për qind më të larta dhe kapin vlerën e 7.4 milionë eurove, si dhe skema e investimeve kapitale prej tre milionë eurosh”, tha Stavileci.
Nga buxheti i vitit 2011, Ministrisë së Stavilecit i janë ndarë 13 milionë euro, nga të cilat parashihet të përfitojnë shumë fermerë kosovarë. Ministri tregon se këtë vit do të përkrahin sektorin e drithërave, sidomos atë të grurit, pastaj blegtorinë dhe sektorin e hortikulturës, pemë, perime e vreshta.
“Ministria nga buxheti ka ndarë tre milionë euro për kulturën e grurit dhe, po ashtu, fermerët do të subvencionohen me derivate të naftës për të korrurat. Të gjitha mjetet e ndara për subvencionet e grurit do të ekzekutohen gjatë muajit maj”, thotë Stavileci.
Më tej, ai tregon se janë duke u përgatitur edhe për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, prej ku presin shtimin e përkrahjes për kulturën e grurit, misrit dhe patates.
Duke folur për ngritjen e vazhdueshme të çmimit të bukës, ministri thotë se ky problem është duke u trajtuar në vazhdimësi nga ministria që ai drejton. Sipas tij, vetë rritja e përkrahjes financiare për këtë sektor tregon se janë të angazhuar në rritjen e vazhdueshme të prodhimit dhe uljes nga varshmëria e importit.
“Kjo do të jetë një politikë që do ta ndjekim vit pas viti, në mënyrë që të mundohemi që në një periudhë të shkurtër kohore, t’i plotësojmë kërkesat për bukë në vend. Tani kemi edhe Ligjin për rezerva shtetërore, i cili na krijon mundësi më të mira për të mos pasur panik për mungesën e produkteve kyçe”, thotë Stavileci.
Vreshtarëve, të cilët kanë paralajmëruar protesta, ministri thotë se tash, pas miratimit të buxhetit, do t’iu ndahen edhe mjetet e premtuara, të cilat parashihen në marrëveshjen e vitit të kaluar me Qeverinë. “Pjesa e dytë e pagesës për vreshtarët do të bëhet tani, ku janë paraparë 700 mijë euro subvencione për ta, andaj ne nuk shohim eskalim të situatës në këtë aspekt, siç ndodhi vitin e kaluar”.
Ndërkohë, një problem tjetër është se patatja e prodhuar në Kosovë vazhdon të përballet me taksa të dyfishta, të cilat i ka krijuar shteti shqiptar që nga viti i kaluar. Stavileci thotë se kanë marrë prapë premtimin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për të arritur marrëveshje, në mënyrë që ky prodhim kosovar të mos iu nënshtrohet edhe më tej preferencave tregtare dhe bazës doganore, gjatë eksportit drejt këtij shteti.
Objektiv madhor i ministrit është edhe lehtësimi i rrugëve të eksportit, jo vetëm për prodhuesit e patates, por edhe për prodhuesit e tjerë kosovarë. Madje, ai beson se me Ligjin për promovimin e produkteve bujqësore, i cili është në agjendën legjislative, do t’iu krijojë mundësi prodhuesve bujqësor që të jenë konkurrentë me produktet e tyre jo vetëm në vendet e rajonit, por edhe në ato evropiane. Stavileci tregon se për këtë vit kanë mbështetje edhe nga donatorët ndërkombëtarë dhe do të fillojnë tri projekte të mëdha: një me Bankën Botërore, që kap vlerën e 20 milionë dollarëve, me Komisionin Evropian prej 10 milionë eurove dhe të tretin me USAID’in, në vlerë 10 milionë dollarë. Projektet janë në përkrahje për industrinë kosovare të qumështit, mishit dhe të pemëve e perimeve.