E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Withers në Poliçan për linjën e re të demontimit

21/02/2010 Qeveria amerikane dhuroi makinerinë TRADS

Ambasadori amerikan Jon Withers ka qenë mesditën e djeshme në qytetin e Poliçanit ku është bërë prerja e shiritit për vënien në punë të një linje të re për demontimin e municioneve. I shoqëruar nga zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, ambasadori Withers ka vizituar ambientet e Kombinatit Mekanik të Poliçanit ku që prej një viti po punohet për demontimin e municioneve. Qeveria amerikane nëpërmjet Zyrës së Departamentit të Shtetit për reduktimin dhe zhdukjen e armëve i ka dhënë Shqipërisë me qira një makineri të quajtur TRADS, e cila ndihmon në asgjësimin e rezervave të tepërta të municioneve të kalibrit të ulët. Kjo makineri tashmë do të ndihmojë në eliminimin e 7.000 tonë plumbave 7.62 mm nga rezervat e tepërta të ushtrisë shqiptare. “Të gjithëve ju kujtohen ngjarjet e marsit të vitit 2008, ndërsa pamë të tmerruar shpërthimin që ndodhi në Gërdec dhe pasojat në njerëz e në banesa. Kjo na tregoi të gjithëve se sa të rrezikshme e shkatërruese mund të jenë të gjitha armët e pashpërthyera për jetën e njeriut dhe puna juaj në këtë uzinë dhe puna e të gjithë amerikanëve që punojnë në këto mjedise është që të sigurohemi që këto tragjedi të mos ndodhin më e që këto armë të shkatërrohen një herë e mirë”,-është shprehur Withers. Ambasadori amerikan ka thënë se faktet për Gërdecin flasin vetë, pasi në Poliçan janë duke u shkatërruar fishekë me një shpejtësi shumë të madhe. Withers ka pohuar se kontraktorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, EOD Solution, të cilët po mbikëqyrin edhe mbarëvajtjen e operacioneve të demilitarizimit në Uzinën e Poliçanit, janë më të mirët në këtë fushë. S. Gorrica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›