E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër rrugët për të kthyer ligjin "Antimafie"

Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Krimeve të Rënda janë të pafuqishme për të kundërshtuar ligjin e ri "Antimafie". Ato janë institucione të zbatimit të ligjit dhe nuk kanë tagrin për t‘i kërkuar Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e tij. Burimet zyrtare nga akuza qendrore nuk kanë preferuar ta komentojnë ligjin, ndërsa drejtoresha juridike ka heshtur, megjithëse rekomandimet e njerëzve të ligjit nuk janë marrë parasysh nga parlamentarët. Ndërkohë, burime konfidenciale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë deklaruar se janë disa rrugë që ligji të shfuqizohet, ose të pezullohet dhe t‘i dërgohet sërish Ministrisë së Drejtësisë për rregullime. Sipas tyre, shoqatat dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë të gjithë tagrin për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj shumë të debatuar, por me disa rregullime, por sërish me probleme.

Rrugët
Krahas prokurorisë e gjykatës edhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve nuk e ka në statutin e saj të kërkojë shfuqizimin e këtij ligji. Një version, sipas njerëzve të akuzës, është edhe mosdekretimi nga Presidenti i Republikës. Prokurorët kanë një propozim për partitë politike, të cilat mund ta çojnë në Kushtetuese ligjin. Sipas tyre, mjafton që një subjekt politik, me argumentet e duhura të paraqesë në Kushtetuese, objeksionet dhe menjëherë mund të kemi pezullimin e këtij ligji të debatuar. Nëse një gjë e tillë nuk realizohet, atëherë njerëzit e ligjit mund të "ndihmohen" nga gjyqtarët që mund të gjykojnë persona, apo organizata kriminale që preken nga zbatimi i ligjit. Nëse togat e zeza vërejnë mospërputhje të ligjit me Kushtetutën mund të kërkojnë pezullimin dhe rishikimin e ligjit. Një dispozitë në Kushtetutë përcakton se gjyqtarët mund të kërkojnë pezullimin e ligjeve nëse nuk përcaktohen nga Kushtetuta. Në fund, por jo nga rëndësia, janë edhe grupet e interesit, pra personat që do të akuzohen nga ky ligj. Çdo shtetas shqiptar, që është objekt hetimi nga ligji "Antimafie", mund t‘i kërkojë Gjykatës Kushtetuese interpretimin e tij.

Problemet
Njerëzit e akuzës në Shqipëri deklarojnë se ligji sjell arbitraritet nga punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët mund të hetonin dhe kontrollonin çdo shtetas shqiptar, pa regjistruar më parë një procedim penal, duke u mjaftuar me termat "bazuar në indice". Sipas prokurorisë, Parlamenti duhet që vetëm të rregullonte ligjin e mëparshëm "Antimafia", i cili u shfuqizua pjesërisht nga Gjykata e Lartë dhe t‘i jepte atij ligji fuqi prapavepruese. Pra mund të rregullohej vetëm me një frazë.
Sipas akuzës, drafti i ri ka kaluar çdo parashikim. Në të i jepet e drejta Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, të verifikojnë, hetojnë, sekuestrojnë e kontrollojnë pasurinë e çdo qytetari në këtë vend, me argumentin e vetëm se ndaj tij ka indicie se merret me krim të organizuar, trafik prostitucioni apo me pastrim parash. Pra ky ligj aplikohet edhe për persona që dyshohet se mund të jenë pjesë e krimit të organizuar, por ndaj të cilëve nuk ka asnjë hetim të nisur. Sipas akuzës, këtu qëndron dhe problematika kryesore. "Në asnjë vend të botës nuk ka një organ shtetëror që heton këdo në shtetin e tij. Është e drejtë dhe ligjore që kjo të ndodhë në kuadrin e një hetimi mbi krimin e organizuar, i cili kërkon mjete për t‘u luftuar", thanë burimet zyrtare nga akuza qendrore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›