E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishet fibroskopia në QSU,pacientët 8 mijë lekë te privati

• Prishet aparatura e fibrogastroskopisë në spitalin “Nënë Tereza”.ZIRINA LLAMBRO Që prej dy javësh dhjetëra të sëmurë i drejtohen klinikave private për kryerjen e ekzaminimit që përcakton diagnozën e kancerit të stomakut, apo probleme të tjera me këtë organ. Veç sorollatjes, u duhet të paguajnë plot 8 mijë lekë për të kryer  analizën. Burime të sigurta nga pavijoni i gastrohepatologjisë ku trajtohen pacientët, bëjnë me dije se si pasojë e një defekti aparatura ka dalë jashtë funksionit. Ndonëse ky problem është ngritur edhe në drejtorinë e spitalit deri tani nuk është marrë asnjë masë për ta riparuar. “Çdo ditë janë mbi 10 pacientë që duhet të bëjnë fibroskopinë, ajo është e nevojshme për të parë gjendjen e stomakut por ajo ç’ka është më e rëndësishmja është ekzaminimi kryesor që përcakton diagnozën e kancerit të stomakut. Me anën të fibrogastroskopisë përcaktohet lokalizimi, forma, përmasat dhe shtrirja e tumorit në rast se ai ka prekur pacientin”, sqarojnë mjekët gastrohepatologë. Ndërkaq një pjesë e pacientëve ankohen se nuk kanë para për të kryer tek privati këtë lloj analize të rëndësishme. “Unë akoma se kam bërë fibroskopinë, se më kanë thënë mjekët jo do rregullohet sot, jo nesër. Nuk kam 80 mijë lekë të paguaj te privati”, shprehet Shkëlqimi një prej të shtruarve në pavijon. Problemet me aparaturatNë QSU nuk është më gjë e re prishja e aparaturave diagnostikuese për pacientët. Çdo muaj do të dalë jashtë funksionit ndonjëra prej tyre. Kjo për faktin se shumë prej tyre janë mjaft të amortizuara. Por sakaq, problemet me aparaturat janë shkaktuar edhe si pasojë e mungesës së kontratave të mirëmbajtjes. Premtimi i parë nga drejtuesit dhe ish-drejtuesit e QSU ka qenë pikërisht lidhja e tyre. Por situata prej vitesh tashmë ka mbetur e njëjtë. Në dukje, dytësor si problem, por me një rëndësi jetike për të gjithë pacientët, të cilët duhet të presin me javë e muaj për analizat pas çdo defekti të aparaturave diagnostikuese. Në rastin më të mirë pacientët transferohen në klinikat private ku paguajnë “qimet e kokës”, ndërkohë që në spitalin publik do të trajtoheshin falas. Ndërsa kur prishen aparaturat unike në vend ekzistuese vetëm në QSU, të sëmurëve nuk u mbetet veçse të presin, edhe pse kjo mund t’u kushtojë jetën. Prej më shumë se një viti në qendrën spitalore më të madhe në vend nuk është bërë asnjë investim për blerje të reja.U dogj fondi 2 milionë dollarëshAsnjë aparaturë të re në dobi të pacientëve nuk mundi të blejë drejtoria e spitalit “Nënë Tereza” për vitin 2007. Të gjithë tenderët dështuan. Madje, disa prej tyre edhe pse u ripërsëritën, u anuluan sërish. Në këtë mënyrë drejtoria “i vuri shkelmin” 2 milionë dollarëve të përcaktuara nga buxheti i shtetit për pajisjet. Nuk bëhet fjalë për blerje të vogla, por për aparatura mjaft të rëndësishme e të nevojshme për shëndetin e të sëmurëve. Aparatura që shkrin gurët në veshka, e cila prej tre vitesh nuk punon dhe detyron pacientët të futen në thikë, pa qenë nevoja, është njëra prej tyre. Koronarografia e skaneri që shërbejnë për diagnostikime mjaft të rëndësishme, ishin dy pajisje të tjera të  planifikuara të shtoheshin në QSU. Gjithashtu, ishin parashikuar të bliheshin dhe tre eko, si dhe monitorë për sallat kirurgjikale. Drejtoria e QSU në deklaratat e saj pretendoi se fondi për aparaturat e reja të spitalit u dogj pasi u zbatua me përpikmëri ligji i prokurimit publik. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›