E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër të plagosur në Laç pas sherrit të dy grave në treg

Krimi Konflikti i nisur në orët e mesditës ka përfunduar me përdorimin e armëve në mbrëmje

Katër persona janë plagosur rëndë me armë zjarri dje në mbrëmje në qytetin e Laçit. Një sherr i nisur mes dy grave që shesin në tregun industrial të qytetit ka përfshirë burrat dhe të afërmit e tyre dhe është mbyllur në mbrëmje me përdorimin e armëve të zjarrit, që u kanë shkaktuar plagë jo vetëm personave të përfshirë në konflikt, por edhe një kalimtareje të rastit.

Burime të policisë së Kurbinit njoftuan zyrtarisht se katër persona, dy femra dhe dy meshkuj u plagosën në qytet gjatë një përplasjeje me armë që ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme.

Policia ka bërë të ditur se të plagosurit janë shtetasit Liljana Prendi dhe Mikel Prendi, nënë e bir, Dodë Kolici, i përfshirë në konflikt dhe Fitnete Osmani, një grua nga qyteti i Laçit që është prekur nga plumbat edhe pse nuk ka pasur asnjë lidhje me sherrin.

Mësohet se sherri ka nisur në orët e mesditës së djeshme në tregun industrial të qytetit, kur bashkëshortet e shtetasve Paulin Prendi dhe Dodë Kolici shkëmbyen sharje me njëra-tjetrën, për shkak të mosmarrëveshjeve për hapësirën që shfrytëzonin për tregtimin e mallrave të tyre.
Pas sherrit mes grave, radha u ka ardhur burrave, të cilët e kanë kapërcyer shpejt fazën e shkëmbimit të sharjeve dhe janë përleshur me njëri-tjetrin. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes thanë se Dodë Kolici ka qenë i shoqëruar me disa të afërm të tjerë dhe së bashku e kanë rrahur shtetasin Paulin Prendi.

Por menjëherë pas përplasjes fizike, Prendi ka shkuar në shtëpi dhe është rikthyer në vendin e përplasjes me një kallashnikov në dorë. Nga ana tjetër, mësohet se edhe Dodë Kolici ka qenë i armatosur dhe mes të dyve ka pasur shkëmbim zjarri.

Kur krismat kanë pushuar, forcat e policisë kanë numëruar katër të plagosur, njëri prej të cilëve Dodë Kolici, i cili dyshohet se është edhe autor i plagosjes së gruas dhe djalit të kundërshtarit të tij. Ndërkohë, nuk është akoma e qartë se kush është fajtor për plagosjen e gruas që nuk ka qenë e përfshirë në konflikt, por i ka rastisur të kalojë në vendin e gabuar në kohën e gabuar.

Policia ka bërë transportimin e të plagosurve për në spitalin e qytetit, por gjendja e tyre ka qenë e rëndë dhe menjëherë është bërë transportimi për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Ndërkohë, policia ka arrestuar shtetasin Paulin Prendi, i cili paraprakisht fajësohet të paktën për plagosjen e Dodë Kolicit. Në vendin e ngjarjes janë bllokuar në cilësinë e provës edhe armët e përdorura nga të dyja palët, si dhe një sasi gëzhojash. Dhjetëra persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Kurbinit për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen, ndërsa patrulla policie janë vendosur në afërsi të banesave të dy familjeve të përfshira në konflikt për të evituar ndonjë sulm hakmarrës ndaj tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›