E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: E ardhmjae rajonit, në NATOdhe BE

TIRANE- Presidenti i Republikës Bamir Topi mori pjesë në ceremoninë e mbylljes së Prezencës së NATO-s në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kreu i shtetit e vlerësoi këtë ditë si një ngjarje të rëndësishme dhe e veçantë për Shqipërinë, shqiptarët dhe për të gjithë aleatët e partnerët tanë strategjikë, e cila ripohon realizimin përfundimtar të ëndrrës dhe dëshirës së popullit shqiptar për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i Shtetit u shpreh i bindur se dhe për rajonin Ballkanik dhe për të gjithë popujt e tij, rruga e vetme dhe më e mira është anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit theksoi “ne do të vazhdojmë, me përgjegjësinë e një vendi anëtar të NATO-s, të mbështesim fuqimisht proceset pozitive integruese dhe politikat e shtrirjes së sigurisë në këtë rajon si rruga e vetme për ta shkëputur atë nga atavizmat e vjetra politike, etnike që përpiqen ta frenojnë nën petkun e një nacionalizmi të ri.”

Në përfundim, Presidenti Topi vlerësoi me krenari kontributin e Shqipërisë në NATO me praninë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë së bashku me miqtë dhe kolegët e vendeve të tjera të NATO-s, në luftën më të vështirë dhe sfidën më të madhe të sigurisë globale, në Afganistan.

Në ceremoninë e mbylljes së Prezencës së NATO-s në Shqipëri, të zhvilluar në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, ishin të pranishëm edhe Komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admirali Mark Fitzgerald, Komandanti i Komandës së NATO-s, Gjeneral Brigade Dincho Ivanov Karamunchev, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›