E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, 75,6 milionë lekë për karburantin e deputetëve

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi do të shpenzojë një fond 6.3 milionë lekësh të reja në muaj për transportin e 140 deputetëve të Kuvendit. Në vit për deputetët, shteti do të shpenzojë mbi 75,6 milionë lekë të reja. Në seancën e djeshme parlamentare është marrë vendimi për ndarjen e bonusit të karburantit për të zgjedhurit e popullit.Pro tij votuan 72 deputetë, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka asnjë pakënaqësie, e cila u vërtetua të paktën në momentin e votimit. Skema e re është realizuar në bazë të propozimit të deputetëve, Florjan Mima, Viktor Gumi, Gent Strazimiri dhe Paulina Hoti. Deputetët e Gjirokastrës do të jenë ata që do të përfitojnë më shumë lekë në muaj bonosi, duke kapur shifrën 57.000 lekëve të reja. Ndërsa më pas, për nga distanca nga Tirana, vijnë deputetët e Kukësit duke përfituar vlerën e 56.000 lekëve. Ndërsa Tirana dhe Durrësi kanë të njëjtën vlerë në pagesë me 37.000 lekë në muaj. Vlerë të njëjtë, të 45.000 lekëve, do të kenë edhe deputetët e qarqeve të Fierit dhe Beratit. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, skema e bonusit, e përcaktuar për deputetët duhet të përcaktohet vetë nga Kuvendi. Në relacionin e katër deputetëve theksohet se përllogaritja e distancës bëhet mbi bazën e distancës me zonën që deputeti përfaqëson, por, në nivelin mesatar, kjo masë nuk mund të kalojë më shumë se 45 mijë lekë në muaj. “Pas konsultimesh në sekretariatet e Kuvendit, drejtuesit e grupeve parlamentare dhe Byronë e Kuvendit u arrit në përzgjedhjen e një varianti që përmbush më së miri kërkesat e ligjit. Konkretisht, nisur nga fakti se deputetët konsiderohen si funksionar i lartë publikë, masa e përfitimit financiar mujor për çdo deputet propozohet të jetë më e madhe se 35 mijë lekë”, thuhet në relacion. Katër propozuesit kanë realizuar këtë ndarje mbi bazën e qarqeve që përfaqësojnë, duke marrë në konsideratë distancat, përmirësimet infrastrukturore, si dhe një koeficient mesatar për kilometër është përllogaritur një masë përfitimi për çdo deputet. Gjithashtu është përcaktuar në pikën 3 të vendimit se deputetëve iu rimbursohen shpenzimet financiare të karburantit për periudhën 7 shtator deri më 20 nëntor 2009. Vetëm katër qarqe Tirana, Durrësi, Lezha dhe Elbasani do të përfitojnë bonos nën vlerën mesatare të përcaktuar nga ligji. Kuvendi, edhe pse ligji është i atakuar në Gjykatën Kushtetuese, e ka miratuar një skemë të tillë, pasi ankimimi është kryer vetëm për heqjen e makinave për gjyqtarët.

vendimi per bonusin

Zonat         Nr deputet    vlera mujore/Lekë

Tirana        32            37.000
Durrësi         13            37.000
Lezha        7            40.000
Elbasani     14            42.000
Dibra        6            57.000
Vlora        12            55.000
Shkodra        11            49.000
Fieri        16            45.000
Berati        8            45.000
Kukësi        4            56.000
Korça        12            53.000
Gjirokastra     5            57.000
Totali          140             6.299.000

Komiteti i ri i MSA-së
Kuvendi mori dje vendimin për të krijuar një komitet i bashkëpunimit ndërparlamentar. Komiteti parlamentar për stabilizimin-asocimin e PE-së dhe Shqipërisë të ketë si kryetar deputetin e PD-së, Viktor Gumi, anëtarë Albana Vokshi, Florjan Mima, Eduart Halimi, Jemin Gjana, Mark Marku, Gert Bogdani dhe Shrefedin Shehu. Nënkryetari i lihet opozitës, ndërsa do të ketë edhe 6 anëtarë të tjerë. Në asamblenë e OSBE-së janë vendosur Aldo Bumçi, Mesila Doda; në Asamblenë e NATO-s janë Leonard Demi, Gent Strazimiri. Në Këshillin e Evropës, Ilir Rusmali, Lajla Përnaska, Arenza Trashani. Në PABSEC, anëtarë janë Edi Paloka, Osman Metalla dhe Edmond Spaho. Në këto emërime janë pa u caktuar anëtarët e PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›