E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana Bank 10 milionë euro për bizneset

 

Banka e Tiranës ka nënshkruar dje një marrëveshje me Bankën Evropiane të Investimeve. Kjo marrëveshje i mundëson asaj një kredi prej 10 milionë eurosh, që do të shkojë e gjitha në mbështetje të bizneseve. Drejtori i Tirana Bank, Dimitris Santixis, në ceremoninë e nënshkrimit ditën e djeshme theksoi se rëndësia e këtij bashkëpunimi me BEI nuk qëndron vetëm në shumën që është akorduar, por në faktin se kjo e fundit e konsideron Bankën e Tiranës si një institucion bankar të besueshëm. I pranishëm në këtë ceremoni, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, u shpreh me nota mjaft pozitive. “Është shumë inkurajuese që bankat evropiane financojnë bankat në Shqipëri. Kriza tashmë ka mbaruar dhe këtë më mirë e tregon fakti që institucionet bankare në botë dhe në Evropë kanë besim tek institucionet bankare në Shqipëri. Biznesi tani duhet vetëm të paraqesë idetë” tha ai. Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve, Domenique Courbin në fjalën e tij tha se në Shqipëri BEI ka pasur mundësi të bashkëpunojë qysh nga viti 1995 me shtetin dhe institucionet publike, por marrëveshja e fundit hap një kapitull të ri sepse është Tirana Bank ajo që përfiton kredinë me qëllim mbështetjen e biznesit. Të pranishmit ranë dakord se e ardhmja i përket investimeve dhe se një iniciativë si ajo e Tirana Bank duhet përgëzuar dhe nxitur njëkohësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›