Mjekët, dentistët dhe farmacistët, test për aftësitë profesionale
Ministria e Shëndetësisë prezanton zyrtarisht Qendrën Kombëtarë të Edukimit në vazhdim të personelit të bluzave të bardha. Duke nisur që nga janari i 2010 të gjithë mjekët, farmacistët dhe dentistët do të regjistrohen në programin e ricertifikimit. Ata do të testohen për aftësitë e tyre profesionale. Nëse nuk plotësojnë kushtet e vendosura do t’u hiqet licenca e ushtrimit të profesionit. Vlerësimi i mjekëve do të jetë me kredite. Procesi i rilicencimit do të zgjasë në cikle 5-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe një mjek, farmacist apo dentist duhet të grumbullojë 150 kredite. Këto kredite do të vlerësohen në bazë të punimeve shkencore, literaturës, work shop-eve brenda dhe jashtë vendit. Në rast të mosplotësimit të këtyre kritereve, punonjësi do t’iu nënshtrohet dy provimeve dhe në rast moskualifikimi do të përballet me sanksionet që mund të shkojnë deri në heqje të së drejtës për ushtrimin e profesionit. “Në këtë moment nisja është e barabartë për të gjithë, vendosim rregulla të barabarta për të gjithë dhe vullneti e dëshira e gjithsecilit do të bëjë diferencën në fund të kësaj gare. Në këtë pikë nuk do të ketë tolerancë, sepse faturën e mungesës së profesionalizimit e paguan i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar”, u shpreh dje në Konferencën Kombëtare të Edukimit, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili. Ai shtoi se duhet vlerësuar fakti që për herë të parë edukimi i vazhdueshëm bëhet temë qendrore diskutimi me profesionistët e shëndetësisë “Kjo konferencë zhvillohet në një moment kur Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar edukimin në vazhdim si një nga shtyllat e reformës për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, tha ministri. Më tej, ministri Vasili u shpreh se Ministria e Shëndetësisë ka vullnetin maksimal për të bërë të mundur përmbushjen e misionit, për përmirësimin e shëndetit të popullatës. “Ministria e Shëndetësisë ka ngritur Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim për të ngritur dhe zbatuar sistemin e akreditimit të aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm dhe atë të ricertifikimit të profesionistëve. Ministria ka miratuar tashmë kuadrin rregullator që përcakton kriteret mbi të cilat do të bëhet ricertifikimi i mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve. Në bashkëpunim me institucione të tjera, si Urdhrat e Profesionistëve, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Infermierisë, ISKSH, Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve si dhe shoqatat e profesionistëve, janë përcaktuar edhe sanksionet në rast moszbatimi të kërkesave të programit të ricertifikimit”, tha ministri.