Shqipëria, fitore pa entuziazëm
Leonard Karaj
Shqipëria ka fituar miqësoren e mbrëmshme falë një goli spektakolar të Ervin Skelës. Binte në sy terreni shumë i rënduar dhe një fushë moçalore. Një fitore që mban një numër simbolik të plotë, pasi ishte e 50-ta për Shqipërinë në 238 ndeshje ndërkombëtare, përfshirë dhe ato zyrtare. Për Shqipërinë, që ka arritur vetëm 2 fitore në 9 përballje me irlandezo-veriorët, e dyta rresht pas asaj të vitit 1997, ky është sinjal i mirë në kuadër të fushatës kualifikuese të Kampionatit Evropian 2012. Gjithsesi, “djemtë e shumtë” të Kuzhes (aktivizoi 17 lojtarë në këtë takim, përveç portierit Beqaj), dhuruan një ndeshje me dy pamje, një pjesë të parë virtuoze me shumë raste dhe një të dytë tepër të lodhur, kjo dhe për shkak të terrenit të rënduar të impiantit ndërkombëtar kryeqytetas.
Shqipëria dominoi pjesën e parë të takimit aq sa Irlanda e Veriut nuk arriti të jetë asnjëherë kërcënuese te porta e Isli Hidit. Ndërkohë që skuadra jonë do të rrezikonte disa herë me radhë me anë të Klodian Duros, Erjon Bogdanit dhe Ansi Agollit. Por kulmi i 20 minutave të para është ekzekutimi i bukur i një goditjeje të lirë nga ana e Ervin Skelës, por portieri dhe kapitemi i Irlandës së Veriut, Majk Tejlor e devijoi në goditje këndi. Në minutën e 23-të, Majkëll O’Konor ndërhyri keq ndaj kapitenit të Shqipërisë, Altin Lala, duke u ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari boshnjak. Tri minuta më vonë Skela tregoi klasin e tij duke realizuar një gol spektakolar falë një gjuajtje të kalibruar nga 25 metra, e që la të shtangur portieri Majk Tejlor. Goli i 13-të i Skelës me Kombëtaren, duke iu afruar me një gol Alban Bushit, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i ekipit tonë përfaqësues. Në pjesën e parë do të ketë spektakël edhe për Ansi Agollin, por mesfushori i Krivbasit në Ukrainë nuk ia doli të dyfishojë rezultatin për Shqipërinë. Dy minuta përpara përfundimit të fraksionit të parë, Ervin Skela i dha një asist Erjon Bogdanit, i cili po të ishte treguar një gjahtar i vërtetë golash mund ta kishte shtyrë topin në rrjetë.
Pjesa e dytë nisi me zëvendësimin e Erjon Bogdanit nga ana e Hamdi Salihit. Pesë minuta më pas, MekGivën dhe Lila përplasen midis tyre, por kartoni i verdhë është për lojtarin shqiptar. Disa minuta më vonë do të ishte sërish MekGivën që do të rrezikonte seriozisht portën e Hidit por për fat sfera goditi shtyllën horizontale të portës sonë. Trajneri Kuzhe e kuptoi që loja jonë nuk pati ritëm në njëzet minutat e parë të pjesës së dytë, dhe bëri dy zëvendësime njëherësh: Lala u zëvendësua nga Hyka dhe Agolli nga Lorik Cana, kapiteni i Sandërlendit. Në të 68’, Lorik Cana goditi bukur me kokë nga jashtë zone, por Tejlor reagoi mirë. Në të 70’ Hidi u bë shpëtimtari i portës, kur Shils goditi me kokë, duke konfirmuar momentet më të mira të kundërshtarëve. Gjithsesi, në fund fitorja shkoi për kuqezinjtë, të cilët nisin mbarë vitin 2010.
Bulku: Fitorja, dhurata për ditëlindje
Dje Ervin Bulku ka mbushur 29 vjeç dhe nuk ka pasur mënyrë më të mirë për mesfushorin energjik për të festuar ditëlindjen e tij. “është dhurata më e mirë për ditëlindjen time. Natyrisht do të kishte qenë fenomenale në rast se do të kisha shënuare dhe një gol por unë nuk është se jam sulmues dhe as nga ata mesfushorë që rri shumë afër portës. Gjithsesi jam i kënaqur për këtë fitore si dhe për lojën time. Shpresoj që tifozët të jenë argëtuar dhe tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të konsolidojmë ekipin dhe të mendojmë për ndeshjet e tjera, ato për kualifikimet e evropianit të 2012”, ka pohuar Bulku.
Skela: Goli, për 40 vjetorin e vëllait
Edhe për Ervin Skelën ka ditëlindje. Por këtë herë është vëllai i mesfushorit shqiptar, ai që ka marrë dedikimet më të mira, nga goli spektakolar i tij. “Golin ia dedikoj vëllai i cili ka 40-vjetorin e lindjes. Më vjen mirë që fituam por nuk duhet të tregohemi euforikë. Ne jemi në një grup të fortë për kualifikimet e evropianit ndaj duhet të rrimë me këmbë në tokë. Duhet të provojmë të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje dhe të arrijmë të marrim rezultat jo vetëm në fushën tonë por edhe ne transfertë. Natyrisht që kualifikimi është shumë i vështirë por e rëndësishme është që ne të japim maksimumin tonë dhe të bëjmë lojëra të mira”, ka thënë Skela.
Shqipëri 1
Irlandë.V 0
Shënues: Skela 26’
Kartonë të verdhë: Lila, Kapllani/ O’Konor, Lefarti
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Gjyqtarë: E.Pilav, H.Turudiç, D.Draskoviç (Bosnje)
Shqipëria: Hidi, Lila, Dallku, Vangjeli, Angolli (63’ Cana), Lala (63’ Hyka), Curri, Bulku (84’ Kapllani), Duro (74’ Bakaj), Skela (80’ Vila), Bogdani (46’ Salihi).
Trajner: Josip Kuzhe
Irlanda e Veriut: Tejlor (Tufei 75’), Litëll, Mek Given, Mek Kartni, Kraigan, O’Konor (Shiels 46’), Mek Gin (Evans 46’), Devis, Heili, Lafërti (Paterson 63’), Mek Ken.
Trajner: Nigel Uorthington
Renditja FIFA, Shqipëria ngjit një pozicion
Shqipëria u ngjit një vend në renditjen botërore mujore të FIFA-s, duke u pozicionuar për muajin mars 2010 në vendin e 96-të me 335 pikë. Përsa u përket kundërshtarëve tanë në kualifikimet e Kampionatit Evropian, Franca ndodhet në Top-10 më të mirat e botës, duke u renditur e 7-ta (nuk la lëvizur asnjë pozicion në krahasim me një muaj më parë). Rumania, kundërshtari ynë i parë zyrtar, ndodhet në vendin e 36-të (+2 vende), Bosnja në të 49-n (-1), Bjellorusia në të 79-n (+1) dhe Luksemburgu në vendin e 126-të (+2 vende). Ndërsa Greqia, e mbërthyer nga një krizë të jashtëzakonshme financiare (“gjendje lufte” e përkufizoi kryeministri Jorgos Papandreu), bën hapa para teksa Kombëtarja helene rikthehet në Top-10 të renditjes FIFA-s për muajin mars 2010, pas Argjentinës. Spanja vazhdon “mbretërimin” në botë, ndërsa Brazili dhe Holanda ndajnë podiumin në vendet 2 dhe 3. Gjermania dhe Anglia gjithashtu u ngjitën respektivisht nga një vend, përkatësisht në pozicion 5 dhe 8.
Kuzhe: Lojë e kënaqshme,Lala, siç e prisja
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe ka përgëzuar lojtarët e tij për fitoren por në veçanti kapitenin Altin Lala. “Jam i kënaqur nga rezultati dhe nga loja e skuadrës. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe i përgëzova çuan gjatë pushimit të ndeshjes. Në të dytën tentuam që të shënonim sërish por terreni u vështirësua shumë dhe u bë gati e pamundur që të zhvilloje një lojë të mirë. Gjithsesi duhet ta pranojmë që menduam diçka më shumë edhe për mbrojtjen me qëllim që të mos pësonim gol. Jam shumë i kënaqur nga loja e Altin Lalës. Unë e kisha parë në disa DVD por kisha dyshimet e mia për të. pas ndeshjes së sotme mund të them se është një futbollist i disiplinuar, i cili bën në fushë pikërisht atë që i kërkon. Shikoj një skuadër të mirë të konsoliduar e cila nëse luan qetë merr gjithmonë rezultat”, ka pohuar Kuzhe.
Lala: Fituam, por fusha, si 20 vjet më parë
Edhe kapiteni i skuadrës Kombëtare, Altin Lala ka përgëzuar lojën e skuadrës por edhe ai sikundër trajneri Kuzhe u ndal te terreni i fushës së “Qemal Stafës”. Sipas Lalës, tapeti ishte gati i njëllojtë me atë të 20 viteve më parë. “Jam i kënaqur nga fitorja. Natyrisht ishte një ndeshje miqësore por ne i dhamë seriozitetin e duhur. Luajtëm mirë dhe më vjen mirë që u riktheva pas kaq kohësh në Kombëtare. Mund të kishim shënuar më shuam dhe të bënim një lojë më të mirë por terreni ishte shumë i vështirë. Fusha nuk të linte të shpreheshe si duhej dhe i ngjante atyre të 20 viteve më parë. është një mëkat për futbollin tonë por ky është realiteti shqiptar”, ka pohuar kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala. Mesfushori luajti ndeshjen e 72-të me fanellën e Kombëtares duke qenë vetëm një takim larg rekordit të Strakoshës, 73 ndeshje.