Poetët e mëdhenj amerikanë vijnë në shqip
Alma Mile
“Në njohjen e poezisë amerikane, ne kemi mbetur në epokën e Adamit e nuk kemi arritur as tek Eva, bashkëkohësja e tij”. Kështu do të shprehej dje, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, në hapjen e një ceremonie të veçantë që u zhvillua dje, në sallën amerikane në BK. Bëhej fjalë për promovimin e një kolane me 5 vëllime poetike, të poetëve më të shquar amerikanë të shekullit XX. John Ashbery, T. S. Eliot, Robert Hass, Ezra Pound dhe Wallace Stevens vijnë me krijimet e tyre më të mira, në serinë “Poetë të mëdhenj amerikanë”, të përgatitur dhe botuar nga “Aleph”, me mbështetjen financiare të ambasadës amerikane. Merrnin pjesë në këtë promovim, jo vetëm poetë e përkthyes, por edhe drejtues institucionesh e diplomatë, si ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, John Withers, zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, etj. Jo thjesht si i pranishëm në këtë ngjarje, por edhe si një dashamirës i letërsisë, ambasadori Withers, e quajti një rast të veçantë prezantimin e kësaj kolane librash. “Në këto 5 vëllime janë përfaqësuesit më të mirë të poezisë amerikane. E kam të vështirë që të gjej 5 përfaqësues të tjerë të letërsisë bashkëkohore që të mund të jenë më të mirë se ata. Megjithatë ne kemi edhe të tjerë poetë shumë të mirë të kësaj periudhe”, u shpreh Withers. Ndërsa është në fund të mandatit të tij, si ambasador në Tiranë, ai u ndal të vlerësonte edhe atmosferën artistike që ka gjetur këtu. Madje ai u shpreh se “asnjëherë nuk e kam shijuar më shumë poezinë se në Shqipëri”.
Për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, botimi i kësaj serie, hyn në ngjarjet e botimeve shqiptare. Kjo ishte edhe arsyeja pse ky institucion zgjodhi të organizonte promovimin e tyre, ndonëse këto ngjarje janë të rralla aty pari, një apo dy autorë, siç thotë ai. Dhe kjo, jo thjesht për vlerat që përcjell kjo seri përmes zërave të poetëve të shquar amerikanë, por edhe për faktin se për përkthimin dhe kurimin e tyre janë marrë pikërisht poetë e studiues të mirëfilltë të letërsisë, si Gentian çoçoli, Parid Teferiçi, Persida Asllani, Rudi Erebana, Edion Petriti dhe Iris Klosi. Ata kanë përzgjedhur disa ndër krijimet më të mira të poetëve amerikanë dhe me shpirtin e poetit, kanë gjetur fjalët e duhura dhe i kanë lëmuar ato, duke i sjellë sa më pranë variantit origjinal. Kështu, ata të bëjnë të ndjesh puhinë e bregut, në poezitë e Ashbery-t, të ardhmen ngjyrë jargavani të Hass-it, Tokën e shkretë dhe kuartetet e Eliot-it, kantot e Pound-it, borën në vargjet e Stevens-it. Secili prej vëllimeve është pajisur edhe me një parathënie, apo hyrje biografike, ku ofrohet një informacion i bollshëm për çdo njërin prej poetëve, si edhe nga një pasthënie prej emrave të shquar të kritikës letrare , si S. Gingh, Czeslaë Milosz, Charles Simic, Dan Chiasson apo Helen Vendler. Për botuesin, Gentian çoçoli, botimi i kësaj kolane është realizimi i ëndrrave të tij si poet e si botues. “Në vitet ’90 kisha ëndërr të kisha në duar këta autorë. Ishte koha kur Shqipëria po dilte nga një izolim i thellë, kur kultura ishte shumë e dëmtuar e më së shumti ajo e librit”, u shpreh çoçoli, duke shtuar se sot, këta libra do të mund të ndihmojnë në rrugën e tyre drejt poezisë, shumë të rinj shqiptarë, kudo qofshin ata, në Tiranë, Korçë, Shkodër e gjetkë. Nga pozicioni studiueses së letërsisë, por edhe pedagoges, Persida Asllani thotë se studimi i poezisë zë 40-45% të vëllimit të studimit të letërsisë në auditorët shqiptare, por sipas saj poezia nuk është një çështje e mirëfilltë shifrash. Duke shfrytëzuar një përkufizim të shkrimtarit Roland Bart, ajo thotë se poezia është “Rezonancë”, që në këtë rast ndihet edhe në faktin që poetë janë përkthyer nga poetë. Për Parid Teferiçin, poezitë e kësaj kolane do ndikojnë në emancipimin e lexuesit shqiptar, duke qenë që Amerika ka qenë gjithnjë një reflektim i njeriut dhe mendimit të lirë.
Kolana
Seria: “Poetë të mëdhenj amerikanë”
“Puhija e bregut tej”
John Ashbery
Përkthyer nga:
Iris Klosi, Gentian çoçoli, Parid Teferiçi
“Toka e shkretë & Katër kuartete”
T. S. Eliot
Përkthyer nga: Gentian çoçoli
“E ardhmja ngjyrë jargavani”
Robert Hass
Përkthyer nga:
Rudi Erebara
“Poezi & kanto të zgjedhura”
Ezra Pound
Përkthyer nga:
Edion Petriti
“Njeriu i borës”
Wallace Stevens
Përkthyer nga:
Parid Teferiçi