E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavaja e papërgatitur në prag të sezonit turistik

Probleme me plazhet më të frekuentuara. Nënprefekti: Pikat turistike janë kthyer në të padëshirueshme për shkak të papastërtisë

KAVAJË- Në prag të sezonit turistik plazhet e qytetit të Kavajës përballen ende me probleme shqetësuese si mbetjet urbane, ujërat e zeza që derdhen në det, muzika e lartë që luhet nëpër lokale gjatë verës, mbetjet inerte nga shembja e objekteve pa leje, pushtimi i plazheve publike duke u kthyer në private.

Për këtë arsye në nënprefekturën e Kavajës është Zhvilluar dje një mbledhje ku është diskutuar gjetja e një zgjidhjeje për problemet.


Nënprefekti Bardhyl Rexha ka nxjerrë në pah të gjitha pikat delikate ku duhet treguar kujdes me shërbimin dhe kushtet e ofruara për turistët. Higjiena ka qenë tema kryesore që u diskutua në këtë mbledhje, pasi përgjatë gjithë bregdetit që përfshihet në rrethin e Kavajës, vazhdimisht ka pasur probleme të shumta me pastërtinë e ambientit dhe të ujit të detit.

Nënprefekti ka kritikuar organet përgjegjëse të cilat, lënë për të dëshiruar në punën e kryer prej tyre, pasi sipas tij, zona e Golemit është më e ndotura. "Kjo pikë turistike është bërë e padëshirueshme për pushuesit vendas dhe të huaj vetëm për shkak të papastërtisë.

Shembja e objekteve të paligjshme është kthyer në problematike, pasi këto veprime kryhen zakonisht në prag të hapjes së sezonit turistik",- tha Rexha. Por më e keqja, sipas tij, është se gërmadhat që ngelin nga shembja e objekteve të jashtëligjshme mbeten aty për muaj e vite me radhë.

"Golemi nuk është më zona më e frekuentuar vetëm për shkak të ndotjes që përmban. Ju nuk duhet të lejoni që subjektet private si hotelet, lokalet, shtëpitë e pushimit të derdhin ujërat e zeza në det",- iu është drejtuar Rexha, drejtuesve të komunave.

Veçanërisht ai është koncentruar tek drejtuesit e komunës Golem, ku ai vetë ka inspektuar zonën dhe ka vërejtur që në të gjithë vijën bregdetare janë vetëm tetë kosha plehrash. Detyrimisht, numri i paktë i koshave dhe largësia e madhe nga njëri-tjetri bëjnë që njerëzit t'i hedhin mbetjet urbane ku të munden.

Ndërsa Astrit Berati, shefi i zyrës së Urbanistikës pranë komunës Golem, që përfaqësonte këtë njësi administrative në mbledhje, u shpreh "Për sa i përket higjienës dhe pastrimit të bregdetit, ne jemi në pritje të shpalljes së fituesit të tenderit për pastrimin e vijës bregdetare, pasi faza e parë e tenderimit dështoi për efekt parregullsish në dokumentacionin e konkurrentëve. Së shpejti do të ndërmerret një aksion për heqjen e mbeturinave inerte të krijuara nga shembja e objekteve të paligjshme.

Ndërsa për dhënien e bregdetit në përdorim subjekteve private, ka mbërritur në komunë një rregullore nga Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, e cila përmban tarifën për m2 dhe kufijtë e sipërfaqes që mund të jepet për këtë qëllim, kështu ne do t'i përmbahemi asaj". Interesimi


Nënprefekti theksoi se shërbimi shëndetësor ambulant ka qenë evident në çdo zonë turistike dhe nuk ka paraqitur vështirësi si sektorët e tjerë. Megjithatë, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Feim Kazazi, theksoi se "është shqetësuese situata që krijohet gjatë muajve të verës, sidomos me derdhjen e ujërave të zeza në det, nga subjektet private që ushtrojnë aktivitete të ndryshme në zonën e plazhit.

Ai kërkoi që shkarkimi i gropave septike të bëhej me autobote dhe jo të lejohej derdhja e tubacioneve në det, pasi përveç ndotjes ato bëhen shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme infektive." Ai shtoi se do të rritet numri i qendrave ambulatore dhe i stafit mjekësor që do të jetë në gatishmëri 24 orë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›