E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si transportova vëllanë e vrarë në spital

Vëllai i Deputetit

Xhemil Xhindi: Trupi i Fatmirit ndodhej një metër larg makinës, koka i ishte përplasur në një hekur. Pengu im është që nuk tha asnjë fjalë

Nga të dërguarit tanë në Roskovec


Në dhomën e pritjes në familjen Xhindi, nuk ka fjalë. I vetmi që thyen herë pas here heshtjen është një djalosh, i cili pret e përcjell miqtë e dashamirësit e shumtë. Në katin e dytë të ndërtesës, burrat i lëshojnë vendin njëri-tjetrit.

Zakoni në këtë anë të Shqipërisë e do që hidhërimi të shuhet me raki. Xhemil Xhindi, vëllai i madh i deputetit të vrarë dy ditë më parë në pragun e shtëpisë, pas minutash të gjata heshtjeje thyen zinë që ka pllakosur. Zëri i është mekur dhe një ofshamë e gjatë shkund burrat në dhomë. "Të paktën të më thoshte një fjalë",- ngashërehet.

Lotët i mblidhen kockë në fyt dhe zëri i humbet sërish. Xhemili është njeriu i parë që është gjendur pranë trupit të të vëllait, pak minuta pasi ai është qëlluar. Në intervistën dhënë për gazetën "Shekulli", vëllai i madh i deputetit të vrarë Fatmir Xhindi, nuk gjen dot shkaqe për mizorinë me të cilën u qëllua vëllai i tij

Z. Xhemil, ju jeni personi i parë, që u gjend pranë trupit të vëllait tuaj, vetëm pak minuta pasi ai u qëllua. Çfarë kujtoni nga ky moment?


Atë ditë unë nuk ika në shtëpi, por bashkë me gruan erdha të shikoj nënën. Pasi vizitova nënën, mbaj mend që atë ditë kishte rënë shi dhe shkova deri lart në xhade. Sapo dola te fiku në rrugë dëgjova krisma.

Aty menjëherë u ktheva me vrap poshtë. Në këtë moment nuk kishte më krisma. Nuk di të them me saktësi se sa ishte ora. Kur vij këtu gjej vëllanë i cili e kishte sjellë makinën deri te porta dhe koka i kishte rënë në derën e hekurit. Në atë moment kam bërtitur.

Nuk kisha as telefon me vete. Gjëja e parë që kam bërë është se kam thirrur vëllanë që është farmacist. Më tej lajmërova nipin dhe byrazerin, të cilët e hipën trupin e Fatmirit në makinën e vëllait dhe e transportuam me urgjencë në spitalin e Fierit


Kur ju u afruat pranë trupit të Fatmirit, ai ishte akoma në jetë?


Nuk mund të them në ishte në jetë apo jo. Trupi ishte i mbuluar nga gjaku dhe ishte e vështirë të dalloje nëse merrte frymë ose jo. Pastaj siç të thashë e çuam në spitalin e Fierit, ku erdhi ndihma e shpejtë që e mori.


A mundët të bisedonit me Fatmirin në ato momente?


Jo asnjë fjalë. Dhe ky është pengu im. Të paktën të më thoshte një fjalë. Kaq doja asgjë më shumë. Do të jetë një peng që do më ngelet gjithë jetën


Ju si familje keni dyshime, për njerëz të mundshëm që mund të kenë kryer këtë akt?


Ne si familje nuk kemi dyshime te askush. Kjo është ajo që na ka rënduar më shumë, pasi duke mos pasur dyshime jemi të paqartë edhe për motivet që shtynë në këtë vrasje. Po kështu unë e hedh poshtë kategorikisht, vrasjen për probleme pronësie, sepse vëllai im nuk ka pasur me askënd probleme të tilla.

Kjo për vetë faktin se toka e tij ndodhet në mes të dy vëllezërve të tjerë. Ajo që dua të them është se makina është bërë shoshë, dhe trupi i Fatmirit nuk ndodhej te bagazhi por një metër larg makinës, që do të thotë se ai është thirrur nga dikush para se të qëllohej


Ju jeni vëllai më i madh i familjes Xhindi. A ju ka shprehur Fatmiri kohët e fundit shqetësime të tij personale?


Di gjithmonë që ka qenë njeri i hapur dhe nëse kishte gjë ma thoshte. Unë të kisha dëgjuar gjë për tim vëlla, nuk do ta kisha lënë punën të shkonte deri këtu, por nuk kam dëgjuar gjë.

Unë di që Fatmiri ka gëzuar respektin e të gjithë banorëve dhe nuk i ka bërë keq njeriu. Nëse do kishte një konflikt, Roskoveci është i vogël dhe do ta kisha marrë vesh një gjë të tillë. Madje akoma nuk më besohet që Fatmiri ka vdekur. Më duket sikur nga momenti në moment do të kthehet nga puna në Tiranë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›