Vlorë, gjendet 91 kg hashash i groposur
VLORË- Policia e Vlorës ka zbuluar dje një sasi hashashi të fshehur nën dhe në zonën e fshatrave të Vlorës. Pas hetimeve dhe informacioneve të marra në rrugë operative, blutë i janë drejtuar fshatrave të lumit, duke ushtruar kontroll në disa banesa, ku kishte informacione se gjendej hashash.
Pas disa kontrolleve, blutë mundën të gjejnë dhe sekuestrojnë rreth mesditës së sotme një sasi prej 95 kg kanabis sativa, e groposur kjo afër një banesë në fshatin Bashaj të rrethit të Vlorës.
Hashashi është gjetur i sistemuar në 3 qeska plastike dhe ka qenë në gjendje të gatshme për transport. Policia nuk ka dhënë ende asnjë informacion lidhur me të arrestuarit e mundshëm, apo identifikimin e autorëve të vënë përballë akuzës për trafik të lëndëve narkotike.
Burime zyrtare nga policia kanë konfirmuar se operacioni është në vijim, duke dhënë detaje të rezervuara për të. Mësohet se lënda narkotike ka qenë prodhim i viteve të kaluara, ndërsa sistemimi që i ishte bërë ka hedhur dyshimet e një transporti të shpejtë të mundshëm.
Shkodër, "bllokohet" gjyqi për vrasjen me paramendim
SHKODËR- Procesi penal në ngarkim të vëllezërve Ermal dhe Besmir Dhampiraj, që akuzohen për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje ka shkuar në një faze thuajse të pazgjidhshme mes të akuzuarve dhe prokurorisë së rrethit Shkodër.
Ermal Dhampiraj ka bërë kërkesë për ndryshimin e prokurorit të çështjes duke e argumentuar këtë me faktin se i njëjti prokuror kishte pasur në një tjetër çështje penale në gjykatën e Krimeve të Rënda, ku çështja ishte rrëzuar për mungesë të bazës ligjore. Avokati i të pandehurit Ermal Dhampiraj, vazhdon që të mos paraqitet në gjyq deri në ndryshimin e prokurorit.
Prokuroria e rrethit dhe këshilli i prokurorisë kanë refuzuar kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e përfaqësuesit të akuzës dhe kjo kërkesë është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Deri në ardhjen e përgjigjes, gjykata e rrethit Shkodër ka vendosur caktimin e dy avokatëve kryesisht për të pandehurit.
Dy vëllezërit Dhampiraj akuzohen për vrasjen me paramendim të 46 -vjeçarit Hysni Shpuza në shtator të vitit të kaluar. Ndërkohë që pak kohë pas kësaj vrasjeje, ishte nipi i viktimës Izmir Shpuza që tentoi të vriste një pjesëtar tjetër të familjes Dhampiraj.
Edhe ai ndodhet në proces gjyqësor për vrasje për gjakmarrje në tentativë, nga një tjetër trup gjykues.