MP: Të aksidentuarit në punë pa dëmshpërblim
Një pjesë e mirë e punëtorëve, kryesisht në sektorin e ndërtimit, nuk marrin dëmshpërblim në rastet e aksidenteve. Kjo për shkak të mungesës së sigurimeve në punë. Lajmi konfirmohet nga ministri i Punës Kosta Barka i cili ka deklaruar se informaliteti në punë vazhdon të jetë i lartë, prandaj një pjesë e të aksidentuarve vazhdojnë të mos përfitojnë mbrojtje dhe dëmshpërblim.
Numri i firmave të denoncuara në Prokurori, nga ministria e Punës është i vogël. Del detyrë e Inspektoriatit të Punës që të kontrollojë vazhdimisht firmat për çështjen e sigurimeve të punëtorëve dhe të kushteve të punës, në mënyrë që të shmangen aksidentet në punë, që shpeshherë kanë rezultuar fatale.
Të dhënat e ministrisë tregojnë se këtë vit janë plagosur 56 persona dhe 7 prej tyre kanë humbur jetën, pa përfshirë punëtorët e minierës.
Ndërsa gjatë vitit 2007, 111 veta janë plagosur rëndë dhe 22 kanë humbur jetën.