E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, gjendet i mbytur 29-vjeçari

Pas një javë kërkimesh gjendet i vdekur një 29-vjeçar, me probleme mendore, i cili ishte larguar nga banesa pa lënë adresë. Ismail Haka, 29 vjeç, lindur në Durrës e banues në fshatin Shkozet të Komunës Lekaj në Kavajë është gjetur dje i mbytur në një kanal kullues me ujë në fshatin, ku ai banonte. Burime nga policia bënë të ditur se 29-vjeçari, i cili vuante nga sëmundja mendore, ishte larguar nga banesa më datë 10 nëntor të këtij viti dhe nuk ishte kthyer më. Familjarët e tij denoncuan zhdukjen e djalit në polici, ndërsa ajo nisi kërkimet për gjetjen e tij. Por për afro një javë askush nuk ra në gjurmët e tij, deri dje kur kalimtarë të rastit gjetën një trup në një kanal kullues, i cili kishte dalë në sipërfaqe. Policia e lajmëruar për ngjarjen mbërriti menjëherë pranë kanalit, ku pasi nxori kufomën nisi hetimet për të kryer identifikimin e tij. Trupi i përkiste 29-vjeçarit të zhdukur, por ende nuk dihen shkaqet e vdekjes. Megjithatë, paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, ose 29-vjeçari është vetëmbytur. Sipas policisë, në trupin nuk janë gjetur shenja dhune, por pritet edhe rezultati i mjekësisë ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›