E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i Obamës dhe rrëfimi i fëmijërisë së vështirë

Në rrugët e Guangzhout dhe në afërsi të Shenzenit, Mark Okoth Obama Ndesandjo i bën njerëzit që të kthejnë kokën pas kur e shohin. Portreti i tij është bërë shumë i njohur, sidomos pas konferencës së fundit të shtypit, organizuar për të promovuar librin e tij, "Roman dashurie në Lindje". Më pas është shfaqur edhe në ekranet televizive të Hong-Kongut dhe fotoja e tij është vendosur dhe në faqen e parë të gazetës "China Daily", si dhe gazetave të tjera në mbarë Kinën. Ndesandjo deri më tani nuk ka qenë i njohur. Ai është një nga dy fëmijët që erdhën në jetë nga lidhja e Barack Obama Senjor, babai i Presidentit amerikan me gruan e tij të tretë, Ruth Ndesandjo. Ata të dy u takuan ndërsa studionin në Harvard. Ndesandjo është i gjatë dhe elegant si Presidenti dhe është përpjekur që t‘i shmanget sa më shumë lidhjes me të vëllain dhe mbi të gjitha me mbiemrin Obama. Pjesën më të madhe të jetës së tij ai ka përdorur mbiemrin e njerkut, një mbiemër tanzanian, dhe vetëm pak kohë më parë vendosi që të merrte edhe emrin e babait biologjik. Ai ka shkruar së fundmi një roman në formën e një ditari, bazuar në përvojën e tij personale të të rriturit me një baba abuzues, të alkoolizuar, si dhe përvojën e tij të të zhvendosurit në Kinë, vend në të cilin ra në dashuri me një kineze, ndërsa filloi të punonte me jetimët. Emri i Presidentit përmendet vetëm një herë në roman. Përmes këtij libri ai ka deklaruar se po shfaqej në jetën publike në mënyrë që të bënte apel për masat që duhen marrë kundër dhunës brenda mureve të shtëpisë, për të promovuar vullnetarizmin, si dhe për të ndarë me të gjithë përrallën e tij të fillimit të një jete të re në një vend të huaj. "Unë jam një Obama dhe një pjesë të madhe të jetës sime e kam kaluar duke e mohuar një fakt të tillë. Në njëfarë mënyre, im vëlla më hapi sytë në lidhje me gjërat që kisha lënë pas në të shkuarën", thotë autori. Jeta e tij nuk është aspak një jetë e zakonshme, dhe kjo edhe pasi vëllai i tij u bë Presidenti i vendit më të fuqishëm në botë. Ai është shkolluar në shkollën ndërkombëtare në Najrobi të Kenias dhe është qytetar amerikan. Pas shkollës u zhvendos në SHBA, ku u diplomua në fizikë në Universitetin e Standfordit dhe Brown, si dhe më pas bëri një master për ekonomi. Menjëherë pas 11 shtatorit 2001, vendosi që të largohej nga vendi i punës që kishte deri në atë kohë, për të bërë diçka personale. Kështu vendosi që të shkonte në Kinë, një vend në të cilin kishte qenë më parë për pak kohë, gjatë periudhës kur ishte student. Që nga viti 2002 ai nisi të jepte mësime në anglisht dhe të punonte në një firmë biznesi si konsulent financiar në Shenzen, një qytet me 14 milionë banorë dhe një nga zonat më të zhvilluara të jugut të Kinës e në kufi me Hong-Kongun. Librin e vet që e ka botuar po vetë e nxori në treg disa ditë para vizitës së parë zyrtare të të vëllait në Kinë. Para se i vëllai të lerë vendin sot, në përfundim të vizitës 3-ditore, ai ka dëshirë që t‘i prezantojë atij bashkëshorten, një kineze me të cilën u martua një vit më parë. Ajo është një vendase nga krahina e Henanit. Ndesandjo, që është një folës i rrjedhshëm i gjuhës mandarine dhe shkrues gjithashtu, është shprehur me tone shumë pozitive në lidhje me jetën në Kinë, për kinezët dhe kulturën e këtij vendi shumë të lashtë dhe shumë të zhvilluar. "Jam shumë i lumtur që im vëlla po vjen në Kinë, sepse në këtë vend unë kam përjetuar një ngrohtësi njerëzore të jashtëzakonshme", ka deklaruar shkrimtari në një intervistë për një të përditshme amerikane. "Do të ishte shumë mirë nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të gjenin pikat e përbashkëta dhe do ta zhvillonin marrëdhënien e tyre nisur nga këto anë pozitive që ndajnë". Të dy vëllezërit janë takuar vetëm pak herë gjatë gjithë jetës së tyre. Takimi i fundit ishte në Uashington, ditën e betimit presidencial të Barakut. Në librin me kujtime, "Ëndrra nga im atë", Obama jep një përshkrim të takimit të parë që pati me të vëllain, një student ambicioz, i cili kishte shkëputur lidhjet si me njerëzit e babait, ashtu edhe me pjesën afrikane të familjes. "Nuk ndiej ndonjë lidhje të veçantë me Kenian. Në njëfarë mënyre jam një njeri që i kam prerë lidhjet me rrënjët e mia".
Ndesandjo, një nga 8 fëmijët që babai i tij pati me 4 gra të ndryshme, është rritur nga të dy prindërit, derisa ata u ndanë në fillim të viteve ‘70. Ai refuzon që të thotë se sa vjeç është, por ka të ngjarë që të jetë në fillim të 40-ve. Për shkrimtarin, i ati ishte një njeri me mendje brilante, por që si pasojë e alkoolit, bëri gjëra jo të mira, si ajo e rrahjes së gruas dhe fëmijëve. "Marrëdhënia që kam pasur me babain ka qenë një marrëdhënie e vështirë. Nuk kam kujtime të mira prej tij, sepse ai ishte i dhunshëm". Për të ëmën, e cila drejton një kopsht fëmijësh në Kenia, ai thotë se është pikërisht ajo që e ka frymëzuar të punojë me fëmijët. Shkrimtari është edhe një pianist i talentuar dhe këtë dhunti e ka përdorur edhe për t‘u dhënë mësime pianoje fëmijëve të varfër të Kinës. Ai është pjesë e një komuniteti afro-amerikan në Kinë, që sapo vjen e po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, kryesisht duke operuar në fushën e biznesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›