Vritet në Shqipëri, lumi nxjerr viktimën në Greqi
Pamje të tmerrshme për disa banorë të Janinës në Greqi, të cilët kanë zbuluar buzë lumit trupin dhe kokën e masakruar të një të riu shqiptar, i ekzekutuar nga persona të panjohur deri tani për policinë. Mediat greke shkruajnë se policia mori informacion nga një bari i zonës, i cili denoncoi për gjetjen e një trupi të pajetë në lumin Kalama pranë Shën-Vlasios në Thesproti, zonë fare afër vendit tonë. Viktima ishte një 32-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk u publikua, pasi familja e tij në Shqipëri, nuk është njoftuar ende. Kufoma u dërgua në spitalin universitar të Janinës për ekspertizë mjekoligjore dhe për të mundësuar identifikimin nga familja, proces me të cilin po merret policia e Igumenicës. Autopsia e kryer tregoi se i vdekuri ka marrë katër plumba në kokë me një armë me rreze të shkurtër veprimi, që dyshohet se është një pistoletë. Profesori i mjekësisë ligjore, Theodoris Vougiouklakis sqaroi se i ndjeri kishte plagë të shumta në kokë, marrë nga plumbat e armës së zjarrit. Dy plumba u gjetën brenda kafkës, por u identifikuan edhe plagët e marra nga dy plumba të tjerë që kishin përshkuar kokën dhe më tej kishin dalë, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Vdekja e tij ka ndodhur rreth dhjetë ditë më parë dhe vetëm dje paradite është gjetur trupi i tij. Policia tha se dyshon për vrasje mafioze dhe beson që ekzekutorët ta kenë vrarë në tokën shqiptare të riun dhe më pas e kanë hedhur atë në lumin Kalama që gjendet pranë kufirit Shqipëri-Greqi. Paraprakisht dyshohet që vrasja e 32-vjeçarit të jetë bërë për larje hesapesh droge, duke e lidhur krimin me kapjen e 1.5 tonë hashash, disa javë më parë në zonën ku u zbulua kufoma e të vrarit.