E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, sekuestro makinave në treg të zi

Policia nis goditjen e tregtarëve që shesin makina në treg dhe nuk janë të pajisur me dokumentacion përkatës. Një operacion i tillë është ndërmarrë dje në Tiranë, pikërisht pranë stadiumit "Selman Stërmasi", ku janë bllokuar 27 mjete. Sipas të dhënave policore, ky operacion është kryer për arsye se edhe makinat e vjedhura jashtë vendit dhe që trafikohen në Shqipëri, kalojnë pikërisht me këtë lloj tregtimi. Zyrtarisht, Policia e Tiranës deklaroi se nga strukturat e saj u ndërmor një operacion mbi "Goditjen e veprimtarisë kriminale të autorëve apo grupeve që kryejnë vjedhjet e mjeteve motorike, si dhe goditjen e trafikantëve të tyre pranë stadiumit "Selman Stërmasi" në Tiranë. Bazuar mbi këtë plan operacioni, dje janë bllokuar 27 automjete, të cilat pasi u verifikuan rezultuan se ishin me mungesë në dokumentacion, sidomos nuk ishin të zhdoganuara. Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Tiranë, pasi kryen kontrollin e dokumentacionit përkatës të mjeteve, përpiluan procedurat e duhura ligjore dhe bënë bllokimin e automjeteve, duke i shoqëruar ato me shërbime deri në pikën e bllokimit. Sa më sipër, drejtuesit e mjeteve të bllokuara duhen të paraqiten me dokumentacion të rregullt në Komisionin e Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative, pranë Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, për të marrë mjetet e tyre. Policia shtoi se do të vazhdojnë operacione të tilla në të gjithë zonat e kryeqytetit, ku shiten makina të parregullta. Të gjitha mjetet me dokumentacion jo të rregullt, do të bllokohen deri në plotësimin e dokumentacionit, ose do tw kalojnë nw sekuestro administrative.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›