E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, operacioni “Lëvizja e shpejtë”, 7 në pranga

KAVAJE- Policia e Kavajës ka arrestuar, pas një hetimi dy mujor, shtatë persona të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve në rrethe të ndryshme të vendit.Burime zyrtare të policisë të qarkut të Tiranës, ku përfshihet dhe komisariati i Tiranës, thanë se "Lulzim dhe Elvis Kalaja, përkatësisht 32 dhe 24 vjeç, Jodjan Shametaj, 19 vjeç, Gramoz Shehaj, 18 vjeç, Ilirjan Mukaj, 30 vjeç, Vllasi Furrxhi, 20 vjeç, Beslinda Lile, 20 vjeç, të proceduar dhe më parë për vjedhje, u ndaluan një ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar 'Lëvizje e shpejtë'". Mësohet se ata u kapën duke vjedhur karburant në makineritë e firmës "Salillari" sh.p.k, në segmentin rrugor Kavajë - Rrogozhinë.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se në bashkëpunim me njëri- tjetrin, shtatë të arrestuarit dyshohet se kanë realizuar një sërë vjedhjesh në Rrogozhinë, Golem, Durrës, Kavajë dhe Vlorë. Në periudha të ndryshme kohore, sipas policisë, ata kanë vjedhur lokale dhe hotele në zonën e Golemit, Durrësit dhe Kavajës.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një automjet tip "Benz", me targë SIOSH, mjë motor triçikël, pa targa, një motor skuter i vjedhur, një televizor Plazma LG 42 polsh, 4 dyer mjeti tip "Benzi 250", një sërë targash të dyshuara të vjedhura, dy ekspres kafeje, etj.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›