E Shtunë, 31 Tetor 2026

“ALBPETROL” do privatizohet. Prifti: Do fitojmë mirë!

TIRANE - Kompania publike e nxjerrjes së naftës ALBPETROL do të hyjë në procesin e privatizimit.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti sot në një konference për shtyp se është ngritur një grup pune për të filluar procesin e privatizimit të kompanisë ALBPETROL.
"Grupi i punës i ngritur do të përcaktojë formën e privatizimit të kësaj kompanie si dhe termat e refencës dhe kushtet për privatizimin e saj", deklaroi ministri Prifti, i cili nuk përjashtoi as pjesmarrjen e kompanive shqiptare në këtë proces, nëse ato plotësojnë kushtet dhe termat e referencës. Prifti shtoi se procesi i privatizimit do të kryhet brenda një periudhe 6-8 mujore.
Prifti tha se do të përzgjidhet një konsulent ndërkombëtar që do të këshillojë qeverinë për mënyrën e privatizimit, ndryshimet ligjore dhe rregullatore që duhen bërë në këtë proces, por edhe për termat e referencës për të hapur pastaj tenderin për privatizimin e ALBPETROL-it.
"Ne synojmë një fitim maksimal nga privatizimi, ashtu sikurse edhe do të zgjedhim kompaninë, e cila do të ofrojë investimet më të mëdha", vijoi Prifti, ndërsa shtoi se një tjetër kusht për privatizimin e kësaj kompanie që do të vendoset nga qeveria shqiptare është edhe mos largimi i fuqisë punëtore nga puna me privatizimin e kompanisë.
"Mbetet ende për t'u fiksuar forma e privatizimit nëse do të jetë privatizim i plotë apo dhënie me koncension" tha ministri Prifti. Sipas tij, aktualisht ALBPETROL zotëron 20 % të puseve të naftës në vend.

Në kushtet që cuan në vednimin e privatizimit, kreu i METE-s tha se kompania ALBPETROL ka sot probleme serioze financiare duke arritur deri në mos mundësinë e pagimit edhe të pagave të punonjësve..
Në këtë kuadër, ai paralajmëroi edhe ndryshime në strukturat drejtuese të kësaj kompanie me qëllim rritjen e performancës, deri në fund të procesit të privatizimit për të ulur edhe efektet negative që sjell kjo kompani në buxhet.

Duke mos dhënë shifra lidhur me vlerat kontabel të kompanisë, Prifti tha se ALBEPETROL do të kalojë në një proces auditimi me auditues ndërkombëtar të çertifikuar. Ai shtoi se i gjithë procesi i nxjerrjes së naftës në vend pas privatizimit të ALBPETROL do të jetë në duart e privatëve.
ALBPETROL sh.a. është shoqëri anonime me 100% të aksioneve të zotëruara nga qeveria shqiptare.
I vetmi aksioner është Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës. Selia qendrore e kompanise ndodhet në qytetin Patos - Albania.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›