Kavajë, rrëshqitja e banesave, specialistët analizojnë terrenin

Një grup prej shtatë specialistësh të Shërbimit Gjeologjik Kombëtar kanë nisur sot punën për analizimin e terrenit, në një sipërfaqe prej 3-4 ha në fshatin Bago të komunës Synej në rrethin e Kavajës, që mund të rrezikohet nga rrëshqitjet. Specialistët e shërbimit gjeologjik kanë mbërritur në këtë zonë një ditë pasi aty, si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave, u shembën të paktën shtatë shtëpi me 45 banorë, të cilët natën duke u gdhirë dita e sotme e kanë kaluar tek të afërmit dhe fqinjët e tyre, nën kujdesin e autoriteteve qendrore dhe lokale. Situata në kodrën ku ndodhi fatkeqësia natyrore ka mbetur e njëjtë, por tashmë ekspertët konsiderojnë të pabanueshme edhe pesë shtëpi të tjera që vazhdojnë të rrezikohen nga shembja. Ndërkaq, një komision i ngritur nga Këshilli i Qarkut vazhdon punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara mëngjesin e së shtunës nga rrëshqitjet e dherave, që u shkaktuan kryesisht nga reshjet e shiut. Shtatë familje të fisit Gjeçi humbën dje banesat e tyre pas rrëshqitjes së dherave prej 30-40 metra, në një nga kodrat ku shtrihet fshati Bago, 5 km në perëndim të qytetit të Kavajës. Strukturat e Ministrisë së Brendshme, emergjncave civile, prefektura dhe këshilli i qarkut si dhe deputetët e zonës kanë qenë dje në vendngjarje dhe kanë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e krijuar dhe për të ndihmuar banorët që humbën banesat e tyre.