U arrestua si tutor i dy prostitutave, i pafajshëm ish-polici
TIRANE – Gjyqtari Martin Deda shpall të pafajshëm oficerin e Policisë të arrestuar në korrik 2011 me akuzën e shfrytëzimit të dy vajzave për prostitucion. Vendimi është dhënë në një seancë gjyqësore ditën e djeshme dhe ka shkaktuar protestën e Prokurorisë, e cila pretendon se ka prova të mjaftueshme për fajësinë e të pandehurit. Me argumentin se “nuk ka prova”, gjyqtari Martin Deda ka deklaruar të pafajshëm ish-oficerin e Policisë, Arjan Hoxha, i cili më datë 16 korrik 2011 u arrestua pasi dërgoi dy vajza për ushtrim prostitucioni në një hotel në Golem tek disa klientë kosovarë. Sipas Prokurorisë, atë ditë, Arjan Hoxha është telefonuar nga shtetasi S. M., i cili ka kërkuar nga polici që t’i gjente 4 shtetase për prostitucion. Sipas akuzës, Arjan Hoxha ka marrë përsipër gjetjen e tyre dhe ka folur me shtetasen Xh. H. dhe shtetasen E. B. Sipas dosjes së Prokurorisë, shtetasja E. B. ka zbritur nga makina e policit Arjan Hoxha dhe është larguar. Oficeri punonte si taksist me një makinë private, ndërkohë që ka marrë në telefon shtetasin A. D., me të cilin takohet tek Ura e Tabakëve. Sipas Prokurorisë, pas disa minutash, shtetasi A. D. vjen me shtetasen M. T. dhe hipin në automjetin e drejtuar nga Arjan Hoxha. Nga mbajtja nën vëzhgim e të arrestuarit, ai takohet me shtetasin S. M. dhe me dy automjetet nisen në drejtim të Golemit për te hoteli i quajtur “On…”. Në këtë moment u bë kapja në flagrancë e tij dhe e shtetaseve Xh. H. dhe M. T., të shtetasit Alban Q. dhe Ali S. (kosovarë), si dhe u shoqëruan pronari i hotelit A. L., kamerieri i hotelit L. K. dhe shtetasi A. D., të cilët dhanë deklarimet rreth këtij fakti. “I arrestuari, rreth orës 01:30, mbërriti te hoteli me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz” me tragë TR 9037 G, dhe me vete kishte shtetaset Xh. H. dhe M. T. Me të mbërritur aty, i arrestuari merr kontakt me pronarin e hotelit, A. L. I thotë që dy femrat duan nga 150 euro secila. Shtetasi A. i përgjigjet se dy shtetasit kosovarë nuk japin më shumë se 100 euro. Pas kësaj bisede, dy shtetasit Alban Q. dhe Ali S., takohen me vajzat dhe ulen në tavolinë dhe në këtë moment ndërhyn policia gjyqësore dhe bën kapjen në flagrancë të të arrestuarit Arjan Hoxha dhe shtetaseve Xh. H. dhe M. T, thuhet në dosje.