Mungesa e opozitës, Kuvendi në kaos
Mazhoranca kalon vetëm marrëveshje. S'ka vota për kalimin e ligjeve të rëndësishme. Anulohen mbledhjet e komisioneve për shkak të kuorumit
Komisionet detyrohen që të funksionojnë edhe me pesë deputetë, duke shkelur haptazi rregulloren
TIRANË - Bojkoti i opozitës ka bërë që gradualisht institucioni i Kuvendit të futet në krizë. Dështimi i vazhdueshëm i mbledhjeve në komisionet parlamentare, reduktimi i seancave plenare nga dy në një në javë, miratimi i ligjeve në mënyrë krejt formale, por edhe pamundësia për të miratuar, apo për të ndryshuar ligjet që kërkojnë një votë të cilësuar, janë disa nga fenomenet, që kanë filluar të shfaqen jo rrallë në jetën kuvendore.
Por, ndërsa dy fenomenet e para që kanë të bëjnë thjesht me anën proceduriale, fenomenet më shqetësuese, natyrisht janë ato që prekin direkt cilësinë e projektligjeve, që po kalojnë për miratim në Kuvend.
Kështu, mungesa e oponencës së opozitës ka bërë që në komisione dhe më pas në seancë plenare të kalojnë ligje që kanë jo pak probleme siç është edhe ai që është ende në shqyrtim, që ka të bëjë me çështjen e fshatrave turistikë, për të cilin grupet e interesit kanë dhënë alarmin për shkeljet dhe arbitraritetin që po përdor qeveria me pronat.
Por, sikur të mos mjaftonte vetëm ky element jopozitiv, mazhoranca është detyruar, së fundmi, që të reduktojë aktivitetin e saj vetëm në kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi edhe për miratimin e projektligjeve të tjera që kërkojnë një shumicë të thjeshtë votash kanë dalë vështirësi jo të pakta dhe që kanë të bëjnë me ndërthurjen e tyre me ligje të tjera organike ose jo, por që për t'u ndryshuar duan një shumicë të cilësuar votash, ose thënë ndryshe, duan konsensusin e opozitës.
Të gjendur para një situate të tillë, deputetët e mazhorancës po detyrohen që të gjitha ato pika të projektligjeve që interferojnë me dispozita të veçanta të ligjeve, që miratohet me shumicë të cilësuar votash, t'i heqin gjatë diskutimeve në komisione, duke i cunguar ato në tërësinë e vet dhe duke e bërë zbatimin e tyre të paefektshëm në të ardhmen.
Një fenomen i tillë është vënë re dje në Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohet një projektligj mjaft i rëndësishëm siç është "Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështje penale" i cili synon të rregullojë marrëdhëniet mes palëve për çështjet e ekstradimeve të të kërkuarve, apo të dënuarve për vepra penale.
Miratimi i këtij projektligji ka sjellë si domosdoshmëri dhe ndërhyrjen në Kodin e Procedurës Penale, të cilat, natyrisht për shkak të votave, që kërkojnë për miratim, mund të bëhen vetëm me kompromisin e opozitës, i cili është i pamundur të arrihet për sa kohë kjo e fundit ka vendosur të qëndrojë jashtë institucionit të Kuvendit.
Për këtë arsye, deputetët e djathtë kanë parë si zgjidhje heqjen nga projektligji të të gjitha atyre pikave, që prekin Kodin e Procedurës Civile. "Unë mund të vazhdoja të procedoja dhe me pyetje, por nuk do të doja të vazhdoja gjatë, sepse thjesht, nuk kemi mundësi.
Ne edhe mund të na pëlqejë që ta bëjmë kështu apo ashtu, por nuk e bëjmë dot se nuk na lë Kodi i Procedurës Penale. Prandaj, unë mendoj se pika "c" dhe "ç" e nenit tetë të këtij projektligji duhet të hiqen se na bien në kundërshtim me Kodin",- tha deputeti demokrat Eduard Halimi dje gjatë diskutimit të nenit 8 të këtij drafti, procedurë kjo e ndjekur dhe në disa raste të tjera gjatë kësaj mbledhjeje. Përveç problemeve që po prekin edhe substancën e ligjeve që po miratohen, jeta parlamentare po shoqërohet edhe me shkelje të vazhdueshme të rregullores.
Komisionet parlamentare, thuajse sa herë që në to nuk është prezente media, i zhvillojnë mbledhjet pa kuorumin e duhur, ndërsa në disa raste drejtuesit e tyre janë të detyruar që për të bërë numrin e duhur të marrin deputetë "borxh" ose siç njihen ndryshe deputetë zëvendësues.
Më problematikë në zhvillimin e mbledhjeve pa kuorumin e duhur të deputetëve janë padyshim komisionet e vogla, që kanë edhe më pak aktivitet, siç është Komisioni për Sigurinë Kombëtare, i Shëndetësisë, i Veprimtarisë Prodhuese, Komisioni i Jashtëm etj.
Vetëm dy ditë më parë, Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi vendimin për të çuar një kontigjent shtesë ushtarësh në Kabul të Afganistanit me praninë e vetëm pesë deputetëve. E njëjta praktikë po ndiqet edhe nga komisionet e tjera, të cilët janë të detyruar të veprojnë edhe jashtë rregullores së Kuvendit.