Kazakistan, zgjedhjet, tre parti hyjnë në Parlament

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kazakistan ka bërë të ditur se tre parti kanë fituar të drejtën për të hyrë në parlament, pasi kanë siguruar mbi 7 për qind të votave, në zgjedhjet e së dielës.
Sipas rezultateve përfundimtare , partia e presidentit Nursultan Nazarbajev ka korrur fitore dërrmuese, me 80.7 për qind të votave.
Atë e pason partia pro biznesit me 7.5 për qind të votave dhe më pas ajo komuniste, për të cilën kanë votuar 7.2 për qind e votuesve.
Kazakistani ka miratuar ligjin e ri zgjedhor, që ka për qëllim t`i japë fund sistemit një partiak.
Opozita anti-qeveritare ka thënë se zgjedhjet e 15 janarit janë dëmtuar nga “shkeljet flagrante”.
Votimet e së dielës janë zhvilluar një muaj pas përleshjeve vdekjeprurëse në rajonet perëndimore të Kazakistanit.