Rama: Nano dhe Meta diskretituan veten
Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cilëson shpifje akuzat e Berishës. Rama flet për lëvizjen e opozitës: "Jemi në bojkot dhe do të jemi në bojkot derisa të vendoset e drejta e votës.
Ju jeni njeri i lirë dhe mund të largoheni nga politika nëse i bezdisni qytetarët...
Padyshim, por pasi të kem mbaruar misionin tim.
Mendoni se jeni misionar?
Çdo njeri në jetën e vet është misionar.
Pse i keni nxjerrë njerëzit në protesta dhe pse jo më përpara?
Unë jam këtu sepse PS-ja nuk ka humbur, por se PS-ja është grabitur.
E besoni realisht?
Jo vetëm e besoj por se është një popull i tërë që e mbron këtë besim, ai popull që doli në një manifestim të paparë proteste.
Provat kush janë, pasi vetëm Nard Ndoka ka shkuar në prokurori?
Kjo është një çështje shumë e thjeshtë. Prova është kutia e mbyllur e 28 qershorit, kutia e mbyllur forcërisht dhe jo ligjërisht, duke shkelur ligjin dhe duke gjunjëzuar gjykatën, kutia që nuk hapet edhe pasi ka mbaruar procesi juridikisht dhe pasi është shpallur rezultati dhe pasi ne si opozitë kërkojmë thjeshtë transparencë dhe jo ndryshim të numrit të mandateve. Ne nuk duam ndryshim të rezultatit. Arbitri ndërkombëtar ka thënë që në 1/3 e qendrave të votimit numërimi është bërë keq ose shumë keq.
Ju i keni premtuar shqiptarëve një politikë të re, por kjo që po bëni është një politikë e vjetër pasi ashtu si Berisha, ju po bojkotoni Kuvendin. Mos vallë ju keni problem me institucionet?
Pas kësaj pyetje mund të vij edhe pyetja mos vallë unë kam problem edhe me gratë dhe më pas mos kam problem edhe me burrat. Kjo është taktika e Berishës për të luftuar me gjithçka kundër gjithçkaje, vetëm për t'ia dalë. Kjo nuk është e moralshme... Kjo është një beteje për të siguruar ndryshimin rrënjësor.
Sot kemi përballë një qeveri që vjen nga deformimi i vullnetit të popullit dhe nuk lejon që të shohim sa i madh është ky deformim dhe për të na dhënë besimin të gjithëve se zgjedhjet e ardhshme nuk do ngjajnë më me këto që lamë pas. Ju vini shenjën e barazimit artificialisht.
Një anëtar i PS-së më thotë se ka hedhur firmën për një projektligj. Pse nuk e çoni?
Është bërë një projekt, është ndërmarrë një nismë që ka marrë firmat e mjaftueshme prej kohësh dhe është një nismë e një grupi që në kohën e duhur do të ndërmarrë hapin për të çuar nismën në parlament. Por ndërkohë kanë ndodhur dhe një sërë zhvillimesh të tjera që ne s'mund ti anashkalojmë.
Bojkoti i opozitës nuk do të ishte aspak problem sikundër nuk ishin aspak problem bojkotet e Berishës në rast se vet jeta demokratike nuk do të kishte cenuar themelet e jetës demokratike. Pra bojkoti i opozitës nuk i cenon themelet e jetës demokratike por i vë ato në pah...
Ka skaduar një ultimatum që ju kishit dhënë...
Ne nuk kemi thënë ultimatum, por kemi dhënë një afat. Ultimatum, tha Berisha. Ne kemi dhënë afat dhe kemi pritur një reagim, ndërsa kemi gjetur një harbim të pushtetit duke e quajtur opozitën mafia. Jemi në bojkot dhe do të jemi në bojkot derisa të vendoset e drejta e votës.
Deri në shtatë Mars?
Shtatë Marsi është festa e mësuesit dhe për nder të tyre, ne edhe atëherë do të jemi në bojkot për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve.
Komenti juaj për deklaratat e fundit të Berishës...
Kanë filluar një fushatë që nuk ngjan me asgjë tjetër veçse me një lum të inspiruar nga diktatura të retorikës pa etikë, atë të eliminimit të kundërshtarit duke përdorur çdo formë të goditjes për të kallur frikë dhe për të vendosur atë që në fakt këta zotërinj nuk e vendosin dot më.
Për të vendosur qetësinë në opinionin publik, për të vendosur atë rend gjerash që e gëzuan për disa vite rresht falë faktit se ishin të votuar dhe fal faktit se kishin përballë një opozitë, që ju dha një mundësi historike. E humbën tashmë këtë shans se i dhanë vetes mundësinë për të qeverisur edhe katër vite të tjera, por që e kanë blerë shtrenjtë belanë.
Që do të thotë?
Që do të thotë kjo që po ndodh, një reagim, që vjen si rezultat i mungesës së legjitimitetit që e bëjnë pushtetin totalisht të pasigurt.
Në këto kushte çdo bëni?
Ne do të rezistojmë dhe do të përballemi pa lëshuar asnjë fije nga e drejta jonë, pa falur asnjë milimetër liri që na e jep Kushtetuta dhe pa negociuar asnjë të drejtë sepse nuk na i ka dhënë të drejtat tona Sali Berisha dhe nuk na i heq dot Sali Berisha.
Do të vazhdoni me protesta?
Do të vazhdojmë me protesta, që do të përhapen kudo duke i dhënë një mësim të mirë këtyre pushtetarëve që kanë marrë një pushtet, që nuk do e gëzojnë dot.
Ku dhe kur do të jetë protesta e radhës?
Jemi në protestë dhe nuk ka më ku dhe kur. Ajo do të shtrihet dhe do të kapilarizohet në çdo qytetar, që nuk e duron dot këtë farsë në mes të Europës. Kjo betejë nuk është një betejë mes dy palëve, nuk është një betejë që kurorëzohet me marrjen e pushtetit në mënyrë jo demokratike dhe ku një kryeministër kap foltoren e Kuvendit dhe nis e shan liderin e opozitës me lider shpie. Dhe pse e bënë ketë? Sepse do t'i tregojë të tjerëve, që kur ia bënë kryetarit të opozitës mund t'ia bëjë kujtdo.
Të gjitha akuzat do të duhet ti faktojë në gjykatë. Berisha ka internuar personalisht njerëz të pafajshëm dhe nuk do mund të rikthejë në këtë vend frymën e frikës dhe të represionit, frymën e goditjes nëpërmjet pushtetit të kundërshtarëve politikë.
Berisha këtë akuzë e ka hedhur poshtë...
Së pari është kohë e humbur ti referohemi Sali Berishës. Sa ka thënë Sali Berisha për Fatos Nanon, në sa kupola e ka futur Fatos Nanon dhe sa lart e ka ngritur në kupolën e mafies dhe nuk besoj se e keni harruar çfarë tha kur e përqafoi në Pallatin e Brigadave duke i thënë medieve që ju e keni të keqe se besoni gjithçka që themi ne.
Po për Ilir Metën a ju kujtohet se çfarë ka thënë Berisha, dhe ja ku e ka në prehër, kukull të bëshme, nuse për integrim duke e quajtur si mrekullinë e koalicionit të majtë dhe të djathtë.
Berisha ka inicuar, dhe realizuar si orkestrues internimin e dy njerëzve të pafajshëm, dy mjekë. Berisha nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e kulturës leliniste, enveriste, hitleriane të luftës për pushtet.
Në datën 6 apo 7 mars mbaron afati për mandatet e deputetëve tuaj. Në rast se deri atëherë ju nuk i keni arritur qëllimet që i keni vënë vetes çfarë do bëhet, do i marrin mandatet?
Në datën 7 mars ne do të festojmë ditën e Mësuesit. Kjo çështje u shfrytëzua për të përçarë unitetin e PS-së, por që nuk iu arrit të bëhej edhe duke tentuar të blinin deputetët.
Kë kanë kërkuar të blejnë?
Ka një dëshmi publike me emër dhe me mbiemër që ka thënë këtë që po them unë.
Për kë bëhet fjalë?
Unë s'përmend emra se nuk bëhem pjesë e një politike të tillë leliniste, staliniste enveriste.
Keni përmendur emrin e vajzës dhe djalit të Berishës..
Unë kam përmendur pa u thënë ende të gjitha sepse ndryshe nga Sali Berisha unë nuk i lejojë vetes të shpif dhe të godas kundërshtarin duke iu referuar të pavërtetave. Vajzën e Sali Berishës, djalin dhe familjen e Berishës e kam përmendur në funksion të interesit publik, në referim të ligjeve, atë të konfliktit të interesit, i cili përcakton kufijtë dhe duke i ndaluar të përfitojë akses dhe më shumë se akses për të përfituar në emër të autoritetit të babait.
Berisha ka dhënë një listë emrash, që kanë marrë leje ndërtimi dhe sot janë deputetë dhe që ju mbajnë sot ju në krye të PS-së?
...Lejet e ndërtimit nuk përbëjnë dhe nuk mund të përbëjnë në vetvete asnjë lloj arsye, që kushdo që merret me lejet e ndërtimit në Bashki të ulin kokën, përkundrazi unë jam krenar për çfarë është bërë në Tiranë dhe që ky qytet nuk ka vlerën që kishte para dhjetë vjetësh... Historia që kushdo person që ndërton, qenka i korruptuar dhe mafie kjo është histori kriminale.
Po që Tom Doshi ka kërcënuar dikë me pistoletë, a është e vërtetë?
A përfytyroni dot që në PS të ndodhë një gjë e tillë si në filmat ëestern...
Gazetari, gjeja e parë që duhet të bëjë është të verifikojë sa e vërtetë është kjo. Prandaj kryeministri kur përmend shifra duhet të mendohet dy herë sepse të nesërmen do të përballet me ata që janë garant të opinionit publik.
Si ka mundësi që Berisha thotë shifra duke shpërfytyruar të vërtetën dhe mes tij dhe popullit qëndron një shtresë që ka për të detyrë të thotë se ku i gjete ti këto shifra.
Sot është në goditje Koço Kokëdhima sepse ai e ka vendosur gazetën "Shekulli" në shërbim të së vërtetës dhe sepse gazeta "Shekulli" është një pasqyrë ku Berisha nuk e sheh dot veten e vet ashtu siç do.
TVSH kështu ka qenë edhe kur ju ishit në pushtet?
Unë jam kryetar i PS-së që nga viti 2005 dhe mbaj përgjegjësi, që nga kjo kohë e këtej.
Çdo bëni me mandatet e 65 deputetëve, do ti digjni?
Ta harrojë Sali Berisha dhe të gjithë ata që e ëndërrojnë atë ditë, se ajo ditë do vijë.
Si do zgjidhet?
Çdo gjë në kohën e vet, çdo punë ka kohën e vet. Tani jemi në vazhdën e angazhimit tonë për të protestuar kudo për të kërkuar hapjen e kutive.
Për 8 Dhjetorin?
Është një ditë e rëndësishme, por ky është një demonstrim force, që të thonë se këta erdhën 100 mijë në bulevard, ndërsa unë vij me 200 mijë. Le të vijnë, por unë e kam me atë që këta do të vijnë të detyruar për shkak të punës apo nxënësit, që do të detyrohen të lënë orën e mësimit për të qenë në shesh. 8 Dhjetori është dita kur festohet dita e rënies së komunizmit, por është edhe dita e rënies së gënjeshtrës si sistem. Spoti i sotëm nuk ishte ai i para disa ditëve.
Në spotin e para disa ditëve, ishte fotografia e Shinasi Ramës, një protagonisti të atyre ditëve dhe një demokrati me shpirt. Shinasi Rama para disa ditëve dha një intervistë në një gazetë e cila ka tërhequr vëmendjen e shumë personave dhe pas atij prononcimi publik, ai ishte fshirë nga spoti. Enver Hoxha i lyente me bojë kine të zezë të gjithë ata që i shpallte armiq të klasës, ndërsa Berisha e fshiu sot kur themi se jemi në demokraci.
A do të merrni pjesë në zgjedhjet e përgjithshme lokale?
Është larg shumë. Do kemi zhvillime të mëdha shumë më shpejt.
Ju flisni kështu se ai ju akuzoi babain...
Ai mund të akuzojë sa të dojë dhe si të dojë tim atë, por më 28 nëntor ai do të përkulet para veprës së babait tim. Sali Berisha është i akuzuar publikisht nga unë për internimin e dy mjekëve të pafajshëm. Këtu kemi të bëjmë me një njeri, që nuk ka lënë person pa përdhosur në emër të pastërtisë së tij morale dhe politike, ndërkohë që është i zhytur në të gjitha aspektet.
Keni kërkuar ju kompromis për zgjedhjen e kësaj krize, që ju të fitoni mandatin tjetër në tavolinë të Bashkisë së Tiranës?
Unë e kam fituar mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ballë për ballë me Berishën. Si kam kërkuar askujt kompromis në tavolinë, por vetëm të hapë kutitë ose të largohet.
Do të kandidoni për kryetar të bashkisë së Tiranës për një mandat të katërt?
Jemi shumë larg dhe kam shumë angazhime të tjera tani.
Do kandidoni apo jo?
Nuk kam përgjigje për këtë
Pra ju s'do kandidoni, se keni thënë në fillim që ju doni tre mandate për të plotësuar misionin tuaj?
Këtë do e shohim.
Pra ju s'do kandidoni? Gazetat e morën tashmë lajmin...
Nëse gazetat e marrin përgjigjen nga ajo që thoni ju dhe jo nga ajo që them unë atëherë le të vazhdojnë.
Kë vlerësoni ju më shumë nga kryeministrat e Shqipërisë nga Meksi tek Berisha?
Pa asnjë dyshim Sali Berishën e rendis të fundit, ndërkohë që ka një kryeministër tjetër që ka mbetur në historinë e kësaj periudhe, që minimalisht nuk bënë pjesë në këtë shpurë abuzuesish dhe që minimalisht ka pasur aftësinë që të luajë rolin, që i takonte në një moment historik, ky është Pandeli Majko. Dhe ka dhe një djalë tjetër, që dha një kontribut madh në një periudhë të vështirë, që quhet Bashkim Fino.
Vlerësimet për Nanon dhe Metën i konfirmoni sot?
Unë kam bërë vlerësime në funksion të një realiteti, kështu që për fat të keq, por jo për fajin tim të dy personazhet zgjodhën rrugën më të keqe për të diskretituar vetveten.
Marrë me shkurtime nga emisioni "Ora e Debatit"