E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiakët socialistë, sot në protestë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ftesë për pjesëmarrje biznesit të vogël


Vendorët, kundër cenimit të autonomisë vendore nga ana e pushtetit qendror


Tri javë më parë, kryetarë të të gjitha bashkive socialiste firmosën përpara kryeministrisë një peticion, nëpërmjet të cilit i kërkonin kryeministrit Sali Berisha të mos cenonte autonominë e pushtetit vendor. Sot, në orën 11:00 po këta kryetarë protestojnë sërish përpara kryeministrisë për plotësimin e kërkesave të tyre.


Shqetësimi kryesor, i të gjithë krerëve të bashkive dhe komunave është vendimi i qeverisë për të kthyer bizneset e vogla me të ardhura 5 milionë lekë, në biznese të mëdha. Ky vendim, sipas tyre, do të ishte një katastrofë për buxhetin e pushtetit lokal.

Gjatë ditës së djeshme, në këtë kuadër, Edi Rama kreu një vizitë në rrugën "Mihal Duri", në Njësinë Bashkiake nr. 10, ku u takua me biznesmenë të zonës.


Qëllimi i kësaj vizite ishte sensibilizimi i pronarëve të biznesit të vogël për pasojat që do të ketë, pasi të nisë aplikimi i ligjit të ri të taksave në muajin janar 2010-të. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë vizitës së djeshme ftoi bizneset e vogla të bashkohen sot më protestën e kryebashkiakëve para kryeministrisë, për të kundërshtuar ligjin e ri të taksave që i klasifikon ata si biznes i madh. Në rast se bizneset e vogla do t'i nënshtrohen klasifikimit që përcaktohet në ligj, TVSh-ja dhe tatimi mbi fitimin do të rriten.


Kjo do t'i detyrojë këto biznese të rrisin çmimet, numrin e punëtorëve, të ndryshojnë pagat e punëtorëve, gjë që do t'i çojë drejt falimentit. Sipas ligjit të ri për taksat janë rreth 3500 biznese, të cilat kalojnë në biznes të madh dhe që rrezikojnë të dëmtohen apo të falimentojnë, në janar të 2010-ës.


Disa pronarë të këtyre bizneseve të vogla kanë përfituar nga vizita e djeshme e kreut të bashkisë për t'i treguar atij problemet që do t'i presin pas aplikimit të ligjit të ri të taksave. Gjatë bashkëbisedimit me disa nga tregtarët që ushtrojnë biznesin e tyre në këtë zonë, Rama tha se "Sipas një përllogaritjeje që kemi bërë rezulton që janë afro gjysma e këtyre bizneseve që falimentojnë.


Drejtpërdrejt nuk kanë asnjë shans për të mbijetuar, ndërkohë që pjesa tjetër që janë produkte pak më të domosdoshme sesa produktet tuaja do detyrohen që t'i rrisin çmimet dhe e gjithë kjo do t'u faturohet qytetarëve, në kushtet kur përsëri ngjan e papërballueshme".


Sipas Ramës, kjo është edhe arsyeja e përpjekjeve për sensibilizimin e të gjithë bizneseve për situatën në të cilën do të gjenden në muajin janar, kur do të nisë zbatimi i këtij ligji.


Në peticionin e firmosur publikisht në datën 16 nëntor, 58 krerë komunash dhe bashkishë i kërkuan kryeministrit të përmbushë pesë kërkesa: anulimin e amendamentit të majit 2009-të në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore, anulimin e vendimit të tetorit 2009-të, i cili në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milionë, nuk i klasifikon më si të tilla, por si biznese të mëdha që futen në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme për ta, dhe duke i dhënë një goditje të papërballueshme edhe buxheteve vendore që mbahen në radhë të parë me kontributet e biznesit të vogël; të bëhet kompensimi i të ardhurave të munguara, 5 vite me radhë, në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005; t'i jepet fund praktikës joevropiane, korruptive, klienteliste e partiake të granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore, dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat të marrin çfarë u takon pavarësisht nga ngjyra e tyre politike, dhe së fundi, të aplikohen taksat e ndara ashtu siç e përcakton Ligji Organik i Qeverisjes Vendore, lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.


Për plotësimin e këtyre kërkesave kryeministrit iu la afat deri ditën e sotme, mosplotësimi i tyre nxjerr sërish sot në protestë krerët vendorë socialistë.


Kërkesat që pushtetarët vendorë i kanë drejtuar kryeministrit


1. Të anulohet amendamenti i majit 2009, në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore, ku qeveria, në rrugë antikushtetuese, ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave;


2. Të anulohet vendimi i tetorit 2009, që në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milionë nuk i klasifikon më si të tilla, por si biznese të mëdha, që futen në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme për ta, duke i çuar masivisht drejt falimentimit dhe duke i dhënë një goditje të papërballueshme edhe buxheteve vendore që mbahen në radhë të parë me kontributet e biznesit të vogël;


3. Të bëhet më në fund, bazuar në të drejtën tonë legjitime, po pse jo, edhe në premtimin tuaj të përsëritur çdo vit, kompensimi i të ardhurave të munguara, 5 vjet me radhë, në arkën e bashkive e komunave, nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005.


4. T'i jepet fund praktikës joevropiane, korruptive, klienteliste e partiake, të granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore, dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore, të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat të marrin çfarë u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike;


5. Të aplikohen më në fund taksat e ndara, ashtu siç e përcakton Ligji Organik i Qeverisjes Vendore këtu e dhjetë vjet më parë, lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›