E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kë pret Penelopa e Shkupit?

Sikur Penelopa e Odiseut, në vend të pëlhurës, që e thurte ditën dhe e çthurte natën për të mos e mbaruar dhe për të mbajtur larg pretendentët e shtratit të saj, të kishte zgjedhur trukun e hekurudhës Sofie-Shkup, do t'i kishte mbajtur duke pritur akoma më gjatë pretendentët. Sepse hekurudha Sofie-Shkup, për të cilën projekti i ndërtimit ka nisur në vitin 1991, pas shpalljes së Maqedonisë si shtet i pavarur dhe formalisht e zyrtarisht ka filluar të ndërtohet që në vitin 1994 edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë e pambaruar. Ndaj, kur ministri i Transporteve të Maqedonisë, Mile Janakieski njoftoi më 2 dhjetor 2011 se hekurudha Sofie-Shkup do të fillojë të ndërtohet në vitin 2013, pretendentëve të realizimit të Korridorit imagjinar 8 iu duk se po i afrohen më së fundi ditës së shumëpritur. Mirëpo optimizmi është një kategori që nuk jep shumë optimizëm në gjeo-strategji.
Odisea e hekurudhës Sofie-Shkup është një përthyerje tipike, interesante, e komplikacionit ballkanik të marrëdhënieve mes shteteve të rajonit dhe ajo nuk është një çështje vetëm e marrëdhënieve bullgaro-maqedonase. Në vitin 1994 nisi ndërtimi i kësaj hekurudhe për hapjen e trasesë dhe ndërtimin e disa veprave të artit. Dhe qeveria maqedonase premtoi se hekurudha do të ndërtohej brenda vitit, me fondin e caktuar prej 120 milionë dollarësh. Iku viti, paratë u harxhuan dhe ndërtimi i hekurudhës mbeti në mes të rrugës, dhe disa nga veprat e artit që u ndërtuan nisën të degradoheshin. Maqedonia nisi endjen e pëlhurës hekurudhore të Penelopës. Çdo vit qeveria maqedonase caktonte fonde për ndërtimin e hekurudhës Sofie-Shkup, por asnjëherë nuk fillonte punën dhe çdo vit pasardhës ajo përsëri caktonte fondet për hekurudhën. Biljana Zdraneva, drejtoreshë e departamentit maqedonas të transporteve, duke tentuar të shpjegojë fenomenin penelopian të hekurudhës thotë: "Është një fenomen, që nuk ia shpjegojmë dot as vetes. Është sikur ne punojmë, po nuk bëhet asgjë". E vetmja gjë që "ndërtohet" kanë qenë deklaratat e pafundme politike për rëndësinë dhe prioritetin e hekurudhës Sofie -Shkup që bëheshin çdo gjashtë muaj në takimet e zyrtarëve të të dy vendeve. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Bullgaria e ka realizuar pjesën e vet të ndërtimit të hekurudhës dhe i ka sjellë shinat deri në fshatin Gueshevo, vetëm 2,5 kilometra larg nga kufiri maqedonas.
Hekurudha Sofie-Shkup është e rëndësishme për marrëdhëniet tregtare dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave mes dy vendeve. Por ajo është tepër e rëndësishme si pjesë përbërëse e të famshmit Korridor 8 sepse një nga shtyllat kryesore të transversales së projektuar Burgas-Durrës është pikërisht lidhja hekurudhore nga bregdeti bullgar i Detit të Zi në bregdetin shqiptar të detit Adriatik. Ekspertët vlerësojnë se nga mungesa e kësaj lidhjeje hekurudhore mes dy brigjeve, vendet e rajonit humbasin çdo vit një miliard dollarë në transport.
Maqedonia përbën thembrën e Akilit sepse ajo është nyja lidhëse hekurudhore si me Bullgarinë ashtu dhe me Shqipërinë. Por 20 vjet pas krijimit të saj si shtet i pavarur ajo vazhdon të mos ketë lidhje hekurudhore as me Bullgarinë dhe as me Shqipërinë, pra me asnjërin prej fqinjëve të saj horizontalë, në një kohë që ka lidhje hekurudhore me dy fqinjët e tjerë vertikalë, me Serbinë dhe me Greqinë. Ky realitet hekurudhor jep një dëshmi se politika e ekuidistancës apo e barazisë së marrëdhënieve ndaj fqinjëve që aplikoi Shkupi zyrtar që në vitet e para të pavarësimit të tij nuk ka qenë një ekuidistancë reale, por selektive. E shohim në rastin e Bullgarisë. Por, unë mund të sjell një dëshmi dhe për rastin e Shqipërisë ndaj së cilës Maqedonia nuk e konsideroi asnjëherë seriozisht ndërtimin e lidhjes hekurudhore me të. Në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup i kam paraqitur në vitin 1994 qeverisë së Maqedonisë propozimin e qeverisë së kryeministrit Aleksandër Meksi për të ndërtuar lidhjen hekurudhore mes fshatit Lin dhe Strugës, për të cilën autoritetet shqiptare kishin edhe projektin gati dhe me një kosto të papërfillshme prej rreth 6 milionë dollarësh. Duhet mbajtur parasysh se ky propozim iu paraqit palës maqedonase në kulmin e vështirësive dhe nevojave të saj për transport, për shkak të embargos, që vendosi atë vit Greqia ndaj Shkupit. Shqipëria u tregua e gatshme të ndihmonte, përveç vënies në dispozicion të rrugëve dhe të porteve të saj, edhe me një hekurudhë, me qëllim që nga Struga të realizohej transporti i Maqedonisë drejt detit dhe Perëndimit. Se çfarë gatishmërie kanë treguar qeveritë maqedonase, dëshmon fakti se edhe sot, pas 17 vjetësh, lidhja hekurudhore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk është vendosur akoma.
Politika hekurudhore e Shkupit nuk është çështje teknike apo financiare, ndonëse tani kostoja e hekurudhës Sofie-Shkup është katërfishuar në krahasim me vitin 1994, kur filloi. Kjo politikë hekurudhore është pjesë e një strategjie politike, diplomatike dhe gjeostrategjike të Shkupit për të bllokuar, jo vetëm lidhjet hekurudhore, por edhe lidhjet e popujve përgjatë Korridorit 8. Lidhjet hekurudhore horizontale, si përbërëse të Korridorit 8, janë trajtuar nga udhëheqësit e Maqedonisë si të papërshtatshme për interesat shtetërore dhe nacionale të Maqedonisë. Vështirë që ky koncept strategjik të konsiderohet si një produkt autokton maqedonas. Moslidhja hekurudhore e Shkupit me Sofjen ka qenë një vendim strategjik i Serbisë gjatë shekullit të kaluar për shkak se Serbia shihte kërcënim të interesave të saj nga ngjashmëria gjuhësore, historike, kulturore dhe etnike e bullgarëve me maqedonasit. Mirëpo edhe pas krijimit të shtetit të pavarur të Maqedonisë, ky qëndrim strategjik serb nuk u hoq nga platforma politike rajonale e udhëheqësve maqedonas. Bllokimi i lidhjeve hekurudhore horizontale për 20 vjet me radhë duhet parë si rezultat i ndikimit dhe i rolit vendimmarrës që llobi i fuqishëm serb ka në Shkup. Ai llob është i pranishëm në të dy partitë kryesore, edhe në Lidhjen Socialdemokrate edhe në partinë VMRO-DPMNE, me gjithë opinionin e pabazuar se kjo e fundit është me afër Bullgarisë se sa Serbisë. Po ai llob ka penguar edhe lidhjen hekurudhore me Shqipërinë.
Ajo që e bën shqetësues qëndrimin dhe konceptin strategjik të Maqedonisë është fakti se bllokimi i lidhjes hekurudhore është bllokim i vetë Korridorit 8, i cili pa përfshirjen e Maqedonisë, do të mbetet një projekt letrar. Një element për t'u nënvizuar është se Maqedonia nuk shpreh vullnet politik të vendosë lidhje hekurudhore me dy shtete anëtare të NATO-s, si Bullgaria dhe Shqipëria. Kjo nuk mund të mos shkaktojë një pikëpyetje shtesë lidhur me interesimin real të Maqedonisë për t'u bërë anëtare e Aleancës Atlantike. Sepse qeveritë maqedonase, që nga 2008 kanë treguar një interes gjithnjë e më të vogël për t'u anëtarësuar në NATO, dhe jo rastësisht në qarqet zyrtare të Shkupit ka nisur të qarkullojë sindromi serb se mes emrit nga një anë, dhe BE-së e NATO-s nga ana tjetër, Maqedonia do të zgjedhë emrin.
Në problematikën e marrëdhënieve të Maqedonisë me fqinjët në Ballkan vërehen shenja të një intrasigjence disproporcionale, e cila është e pakuptueshme, nëse ballafaqohet me një orientim real për integrimin euroatllantik. Sepse, nëse bëhet sikur ndërtohet hekurudha, kjo do të thotë se Penelopa mund të vazhdojë edhe njëzet vjet të tjera. Por nëse Penelopa priste Odisenë, kë pret Penelopa e Shkupit?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›