Kejsi Tola kualifikohet në finale të Eurovisionit

Këngëtarja e cila e përfaqëson Shqipërinë në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit, Kejsi Tola, ka siguruar një vend në finalen e mbrëmjes së shtunë ku do të konkurrojë me përfaqësuesit e 24 shteteve tjera finaliste për të fituar Festivalin Evropian të Këngës, i cili mbahet në kryeqytetin rus, Moskë. Kejsi bëri një paraqitje të bukur mbrëmë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit për të marrë vizën që të paraqitet sërish të shtunën në finale. Mbrëmë u kualifikuan dhjetë shtete: Azerbajxhani, Kroacia, Ukraina, Lituania, Shqipëria, Moldavia, Danimarka, Estonia, Norvegjia dhe Greqia. Në natën e parë gjysmëfinale u kualifikuan: Turqia, Suedia, Izraeli, Portugalia, Malta, Finlanda, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania, Armenia dhe Islanda, ndërkohë që Rusia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Spanja, janë kualifikuar automatikisht, dhe është ky numri i plotë prej 25 shteteve të kualifikuara për finalen e madhe të të shtunës mbrëma.
Kënga Më merr në ëndërr, ("Carry Me In Your Dreams") është me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Edmond Zhulalit. Klipi i këngës është realizuar në Gjermani, ndërsa për performancën e Kejsit në skenë është kujdesur koreografi Julian Bulku. Përfaqësuesja shqiptare mbrëmë përjetoi sërish emocione të veçanta nga skena eEurovizionit në Moskë, pasi në këtë garë këngësh evropiane këngëtarja 16 vjeçare arriti të futej në natën finale. Kejsi Tola, u shpall fituese e Festivalit të 47-të të Këngës në Radio Televizion, në dhjetor të vitit të kaluar kur ajo fitoi maksimumin e pikëve në ngjarjen më të madhe të këngës, me këngën, "Më merr në ëndërr", një këngë e kompozuar nga Edmond Zhulali dhe me tekst të poetit të njohur Agim Doçi. Për të gjashtin vit radhazi, fituesi i festivalit të këngës në RTSH do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest. Kejsi Tola, u zbulua si këngëtare në konkursin e këngëtarëve të rinj Ethet e së premtes mbrëma. Për herë të parë, Shqipëria u përfaqësua në Festivalin Europian të Këngës në vitin 2004, në Turqi me këngën Imazhi yt, të kompozitorit Edmond Zhulali, interpretuar në skenën e Eurosong-ut nga këngëtarja Anjeza Shahini. Katër vjet më parë në këtë festival, Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Ledina Çelo me këngën "Nesër shkoj" e kompozitorit Adrian Hila. Në vitin 2006 përfaqësimi u bë me këngëtarin Luis Ejlli me këngën "Zjarr e ftohtë" të Klodian Qafokut, ndërsa në vitin 2007 me këngëtarin Frederik Ndoci, në Helsinki me këngën "Balada e gurit", kompozuar Adrian Hila. Në Festivalin Europian të vitit të kaluar që u zhvillua në Beograd, Shqipëria u përfaqësua me këngën "Zemrën e lamë peng", kënduar nga Olta Boka, 16 vjeç, me kompozim të Adrian Hilës dhe tekst të Pandi Laços.