E Diel, 1 Nëntor 2026

Kejsi Tola renditet e 17-ta në Eurosong, shkëlqen, por “fiton” mërinë e vendeve bizantine të Ballkanit

Kejsi Tola, këngëtarja që përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Më merr në ëndërr”, në Festivalin e 54-të Evropian të Këngës, që përfundoi natën e djeshme në Moskë, u rendit e 17-a mes 25 vendeve finaliste në këtë edicion. 17-vjeçarja Kejsi Tola, më e reja e Eurovizionit 2009, u ngjit në skenë nën petkun e një princeshe në kërkim të princit të ëndrrave. Kjo pjesë u inskenua nga koreografi Julian Bulku, i cili interpretoi në skenë përkrah Kejsit dhe dy balerinëve të tjerë, të veshur si personazhe përrallash. Kënga e interpretuar prej saj “Më merr në ëndërr”, e kompozuar nga Edmond Zhulali, me tekst të Agim Doçit, arriti të grumbullonte 48 pikë nga televotimi i vendeve pjesëmarrëse, të dhëna kryesisht nga fqinjët tanë si Maqedonia dhe Mali i Zi, por edhe Zvicra dhe Turqia, që e vlerësoi këngën shqiptare me 10 pikë nga 12 maksimale. Pavarësisht pikëve të grumbulluara, performanca që përcolli Kejsi Tola, mbushur me energji dhe atmosferë rinore, tërhoqi vëmendjen e publikut të huaj, që e duartrokiti gjatë atë. Eurovizioni i këtij viti u mbyll me fitoren e Norvegjisë, me një total prej 387 pikësh, duke u diferencuar ndjeshëm nga vendi i dytë, Islanda me 217 pikë. Vendi i tretë i shkoi Azerbajxhanit, që grumbulloi 207 pikë. Edhe sivjet, Eurovizioni nuk I shpëtoi lobingut të vendeve slave, të cilat sërish ishin shumë të sukseshme në natën finale, ndërkohë që për herë të parë, vendet ballkanike nuk iu bashkuan këtij lobingu, kjo edhe për shkak se vendet slave u orientuan kryesisht drejt Rusisë, dhe jo në votimet e fqinjve siç kishte ndodhur herët e tjera. Edicioni i 54- të i Eurovision u organizua në Olimpic Indoor Arena në Moskë, me pjesëmarrjen e 42 vendeve. Pas dy netëve gjysmë finale, në 12 dhe 14 maj, si më të mirat për natën finale u përzgjodhën këngët e 20 vendeve, mes të cilave dhe Shqipëria. Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Spanja, si dhe Rusia, vendi organizator, hynë automatikisht në finale. Skenografia e Eurovisionit u realizua nga John Casey, i cili ka punuar dhe për skenën e Festivalit Europian të Këngës të vitit 1997. Shqipëria u përfaqësua për herë të parë në Festivalin Europian të Këngës në vitin 2004, në Turqi, me këngën “Imazhi yt”, të kompozitorit Edmond Zhulali, interpretuar në skenën e Eurosong-ut nga këngëtarja Anjeza Shahini. Katër vjet më parë në këtë festival, Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Ledina Çelo, me këngën "Nesër shkoj" e kompozitorit Adrian Hila. Në vitin 2006 përfaqësimi u bë me këngëtarin Luis Ejlli me këngën "Zjarr e ftohtë", të Klodian Qafokut, ndërsa në vitin 2007 me këngëtarin Frederik Ndoci, në Helsinki, me këngën "Balada e gurit", kompozuar nga Adrian Hila. Në Festivalin Europian të vitit të kaluar, që u zhvillua në Beograd, Shqipëria u përfaqësua me këngën "Zemrën e lamë peng", kënduar nga Olta Boka, 16 vjeç, me kompozim të Adrian Hilës dhe tekst të Pandi Laços.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›