Kek: Një Slloveni agresive

Tekniku i kombëtares sllovene Matjazh Kek ka paralajmëruar një Slloveni agresive në përballjen me kombëtaren shqiptare, ndeshje që zhvillohet të shtunën me fillim prej orës 20.30 në Celje.
"I duam tri pikët patjetër, por dëshira ime është që edhe të tregojmë lojë të mirë që do të kënaqte tifozët. Nuk duhet të lejojmë skuadrën kundërshtare të zhvillojë lojën e saj por duhet të diktojmë ritmin ne", ka thënë Kek vetëm 24 orë para përballjes që konsiderohet si vendimtare për pozitën e katërt në grup.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar një formacion sulmues përballë Shqipërisë.
"Njëmbëdhjetëshja startuese do të jetë sulmuese, sic edhe mund ta keni parashikuar. Duam ta sulmojmë skuadrën kundërshtare, të bëjmë presion në mbrojtjen e tyre. Gjithsesi duhet të kemi kujdes për të mos lënë hapësira për kundërsulme të tyre", ka vazhduar të shpjegoje "planin" e tij trajneri i kombëtares sllovene. Ndërkohë ai nuk ka lënë pa folur edhe për skuadrën shqiptare, ku ka përmendur mesfushën e fortë shqiptare dhe sulmuesin kryesor, Erjon Bogdani.
"Shqipëria është një ekip me përvojë dhe fuqia e saj është tek sulmuesi i shkëlqyeshëm Erjon Bogdani, ndërsa kanë edhe një mesfushë me përvojë me në krye Altin Lalën. E njohim mirë ekipin e tyre. Pika e tyre e fortë është mesfusha", ka thënë Kek.