E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shterpë” kundër Sllovenisë

Nga Dash Frasheri
Ndaj Sllovenisë, në tri ndeshjet e deritanishme zyrtare të zhvilluara kundër tyre, nuk kemi fituar asnjëherë (dy humbje) dhe barazimi në Shkodër (0-0), mund të konsiderohet edhe maksimumi i rezultateve të marra ndaj saj. Fatkeqësisht në 270 minuta lojë kundër tyre nuk kemi mundur të shënojmë asnjë gol, edhe pse në vijën e parë të sulmit kemi pasur emra të tillë si Igli Tare, Erion Bogdani e Alban Bushi. Shqipëri-Slloveni 0-1 Takimi i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2000, i zhvilluar në "Qemal Stafa", më 9 qershor 1999, regjistroi edhe humbjen e parë ndaj formacionit slloven, në prani të 15 mijë shikuesve. Gjyqtarë ishin një treshe rumunësh të kryesuar nga Stoika. Kundërshtarët tanë të drejtuar nga Screcko Katanec (pasuesi i përfolur i Baricit) shënuan në fraksionin e parë të lojës me anë të Zlatko Zahovic në minutën e 26-të. Në formacionin e Astrit Hafizit në këtë takim nga të "mbijetuarit" janë edhe portieri i parë i Kombëtares, Arjan Beqaj (në atë takim rezërve e Foto Strakoshës), golashënuesi më i mirë i Kombëtares, Alban Bushi (14 gola) dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala. Slloveni-Shqipëri 2-0 Pas dy muajsh, më 18 gusht 1999, u zhvillua në Lubjanë të Sllovenisë takimi i dytë me sllovenët. Gjyqtarët ishin nga Portugalia, të kryesuar nga Gomesh Ferreira Paraty. Ndeshja u mbyll me fitoren e pastër të Sllovenisë me rezultatin 2-0, në prani të 8000 shikuesve. Golat për Slloveninë u shënuan në pjesnë e dytë: Zllatko Zahovic (49', shënoi dhe në Tiranë) dhe Milan Oterc (80'). Zahovic është edhe golashënuesi më i mirë historik i Sllovenisë me 35 gola. Nga formacioni i atëhershëm i drejtuar nga Astrit Hafizi, ku bënin pjesë Foto Strakosha, Ilir Shulku, Arian Xhumba, Rudi Vata, apo dhe Igli Tare, Edvin Murati, Redi Jupi, luajnë akoma nën urdhërat e Oto Baricit: Devi Muka, Erion Bogdani, Arjan Beqaj, Alban Bushi, Altin Haxhi dhe Altin Lala. Shqipëri-Slloveni 0-0 Ndeshja e tretë me Slloveninë i përkët eliminatoreve të Kampionatit Europian 2008, e luajtur më 24 mars 2007. Për shkak të mosmarëveshjeve me shoqërinë që menaxhon Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" ndeshja u zhvillua në Shkodër dhe protagonistët e atij takimi do të mbajnë mend shiun e jashtëzakonshëm, por dhe mungesën e trajnerit Oto Baric për shkak të gjendjes jo të mirë shendetsore dhe drejtimin e Slavko Kovacicit. Takimi përfundoi 0-0, ndërsa mund të thuhet se kundër një formacioni jo të rëndësishëm slloven duhet të kishim fituar, ku të paktën ndihmësi i Baricit provoi të katër sulmuesit që kishte në dispozicion në fushë pesë sulmuese: Kapllanin, Bogdanin, Bushi dhe Salihin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›