Kelly: “Të krijohet klimë politike gjithëpërfshirëse”

Qeveria amerikane mbetet mjaft e shqetësuar për gjëndjen politike në të cilën ndodhet Shqipëria. Ambasadori i SHBA pranë OSBE, Ian Kelly deklaroi se ngërçi politik në Shqipëri vijon të mos njohë zgjidhje, një ngërç i përshkallëzuar pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Një thirrje e fortë u drejtohet palëve në poltikë ndërsa në drejtim të maxhorancës, Ian Kelly bën thirrje për krijimin e një klime politike gjithëpërfshirëse. Në këtë deklaratë, ambasadori i SHBA pranë OSBE, përshendet rikthimin e Partisë Socialiste në Parlament si dhe i bën thirrje të përmbushë detyrat e saj me një pjesëmarrje aktive.
Në këtë deklaratë, shprehet edhe njëherë mjaft qartë se progresi i Shqipërisë drejt integrimit lidhet me vullnetin politik të palëve si dhe reformat konkrete. Me tone mjaft shqetësuese, ambasadori Kelly është shprehur dhe për nivelin e lartë të korrupsionit. Sipas Kellyt, lufta kundër korrupsionit do të mund te ketë sukses vetëm nëse kjo luftë nuk përdoret nga politika për përfitime partiake.
Kjo deklaratë e fortë e diplomatit amerikan vjen në vazhdën e gjatë të reagimeve të tilla për krizën poltike që ka përfshirë Shqipërinë. Ambasadori Kelly, nuk lë pa përmendur edhe progresin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar, por sipas tij, përpjekjet për luftimin e krimit si dhe korrupsionit duhet të vijojë, si rruga drejt integrimit të Shqipërisë.