E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët çdo të premte takim për axhendën në Kuvend

09/09/2011  Riorganizimi i punës në PS

Deputetët e Partisë Socialiste do të përcaktojë qëndrimet e tyre në seancat parlamentare dhe në komisionet e përhershme parlamentare në mbledhjet që do të zhvillojnë çdo të premte të javës. Njëkohësisht një vendim i tillë pritet të vihet sot në punë, duke shënuar dhe mbledhjen e parë të kryetarëve dhe nënkryetarëve socialistë në komisionet parlamentare. Kështu, veç mbledhjes së përjavshme të së hënës grupi parlamentar i PS-së do të ketë dhe një tjetër mbledhje brenda së njëjtës javë, e konkretisht çdo të premte në mëngjes. Në mbledhjen e së hënës ligjvënësit socialistë përcaktojnë vendimet politike mbi çështjet që diskutohen në seancat parlamentare të kësaj dite, si dhe përcaktojnë në detaje mënyrën e organizimit të saj, deri dhe në zgjedhjen e ligjëruesve në seancë. Por mbledhja e së premtes, ku e sotmja do të jetë e premtja e parë që deputetët socialistë startojnë një traditë të tillë, do të përcaktojë punën e secilit grup deputetësh të ndarë në komisionet përkatëse. Kështu, në këto takime socialistët jo vetëm që do të ndajnë detyrat mes tyre, por njëkohësisht do të përcaktojnë një axhendë për mënyrën se si do të trajtohet një çështje e caktuar në komisionin përkatës. Gjithashtu për secilën çështje që do të kalojë sipas kalendarit të punimeve në komisione ligjvënësit socialistë do të kenë të parapërgatitur jo vetëm oponencën, por dhe amendime apo kërkesa për ndryshimin e thellë të saj. Ndërkohë deputetët socialistë do të përcaktojnë dhe një axhendë mbi interpelancat që do të thirrën nga grupi kuvendor socialist. Kështu, gjatë këtyre takimeve socialistët do të zgjedhin jo vetëm emrin e titullarit që do të kërkojnë në interpelancë, por njëkohësisht do të parapërgatitin dhe një draft të qartë mbi pyetjet që do t’i drejtohen atij. Paralelisht me axhendën parlamentare deputetët socialistë, të ndarë sipas grupeve të punës për hartimin e programit të ri politik dhe reformës organizative të PS-së, po zhvillojnë takime të njëpasnjëshme, me qëllim hartimin e projekteve paraprake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›