E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kelmendi: “Del Ponte barazon agresorin dhe viktimën”



“Akuzat e fundit të Karla del Pontes janë ndikim i Beogradit dhe me to synohet të barazohet agresori dhe viktima. Nëse ajo ka fakte të tilla dhe nuk i ka përfshirë në aktakuzë, del se ajo ka kryer vepër penale për fshehjen e krimeve”. Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi. Ndërkohë, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, juristë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, thonë se nuk ka bazë ligjore që qeveria e Kosovës të fillojë hetime për pretendimet e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, të shkruara në librin e saj, ku deklaron se luftëtarët shqiptarë kanë vrarë disa dhjetëra serbë dhe i kanë shitur organet e tyre. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se qeveria e Kosovës bazohet në fakte dhe jo në imagjinata e shpifje. “Jo, do të dalim me një qëndrim. Do të shohim se si është, por ka nevojë për konsultime pak më të gjera”, - tha Kuçi. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, konsideron se e gjithë kjo është ndikim i Beogradit dhe sipas saj, me këtë është synuar të barazohet agresori me viktimat.
“Unë mendoj se qeveria e Kosovës nuk e ka për detyrë dhe nuk ka bazë ligjore për t’i filluar këto hetime, sepse këto janë fabrikime të Karla del Pontes, të shkruara në librin e saj. Kurse libri i saj nuk mund të merret për bazë për të filluar hetime ndaj dikujt. Kur e them këtë kam parasysh se pikërisht ajo ka qenë autore e akuzave kundër luftëtarëve të UÇK-së, zotit Fatmir Limaj dhe zotit Ramush Haradinaj me shokët e tyre dhe akuzat e saj kanë dalë të pabaza”, - u shpreh Kelmendi. Ajo shprehu skepticizmin e saj lidhur me vërtetësinë e të dhënave të paraqitura në librin e Del Pontes. “Shtrohet pyetja pse ajo ato aktakuza, meqë ishte autore e tyre, pse nuk i përmendi edhe faktet që i prezanton në librin e saj. Unë nuk di çfarë transformimi është bërë tek ajo zonjë, kur prej një luftëtareje për drejtësinë dhe prej një gruaje me një retorikë jashtëzakonisht të ashpër ndaj Serbisë, shkoi dhe u transformua deri në atë masë sa që tha se Serbia po bashkëpunon mjaft me Tribunalin e Hagës dhe i bëri këto deklarata në momentin kur duhej të largohej nga posti i kryeprokurores së Tribunalit të Hagës”,-tha Kelmendi.

Gjeliç: “Serbia nuk mund të ndalojë hyrjen e Kosovës në FMN dhe BB”

Serbia do ta ketë të vështirë të ndalojë hyrjen e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, sepse në këto institucione vendoset me shumicën e kapitalit të vendeve që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar nënkryetari i qeverisë serbe, Bozhidar Gjeliç. “Është një situatë e vështirë për faktin se vendet që kanë njohur Kosovën, kanë pjesëmarrje të lartë në kapitalin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore”, - është shprehur Gjeliç. Nënkryetari i qeverisë serbe në prag të takimit të djeshëm në Uashington ka theksuar se në bisedat me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së delegacioni serb ka theksuar pozicionin e politikës shtetërore rreth Kosovës. “Kemi thënë se Serbia kurrë nuk do ta pranojnë atë pavarësi”,-tha Gjeliç. “Kemi thënë gjithashtu se do të bëjmë çdo gjë brenda fuqive tona të parandalojmë hyrjen eventuale të kësaj ‘krijese’ në këto organizata financiare”,-ka thënë ai.

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›