E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse qeshim me të tjerët



E qeshura shërben si korrigjuese. Është një nga institucionet që ka evoluar, në mënyrë që të bëjë të mundur për njerëzit jetën në shoqëri dhe shoqërinë që të punojë mirë. Ka shumë lloje tiparesh e sjelljesh antisociale, dhe ne vetëm qeshim me disa prej tyre. Ne qeshim me njerëzit, kur sillen në një mënyrë që të jep përshtypjen e një mekanizmi të thjeshtë. Zakonisht, ne presim që njerëzit të vëzhgojnë çfarë po ndodh rreth tyre dhe ta përshtasin sjelljen e tyre sipas saj. Kur dikujt i mungon aftësia për t’iu përshtatur kësaj, ne qeshim me të. Mënyra sesi e qeshura funksionon si korrigjuese, është e dukshme: “Funksioni i saj është të trembë me anë të poshtërimit.”

Timo LAINE

Cili është kuptimi i së qeshurës? Henri Bergson e fillon veprën e tij për të Qeshurën me këtë pyetje të thjeshtë e të përgjithshme. Qëllimi është analiza e gjërave që na bëjnë për të qeshim, në mënyrë që të gjejë se përse ato na bëjnë për të qeshur. Bergsoni e kufizon rrezen e këndvështrimit të tij pothuajse menjëherë me anë të tre vëzhgimeve mbi komedinë dhe të qeshurën. Komedia është domosdoshmërisht njerëzore: ne qeshim me njerëzit ose gjërat që ata bëjnë. E Qeshura është krejtësisht intelektuale: aftësia për të qeshur duket se kërkon një qasje të veçantë, një distancë emocionale kundrejt objektit të së qeshurës. E qeshura ka një funksion social. Këto vëzhgime ndofta janë kontradiktore, por na ndihmojnë të kuptojmë të paktën se për çfarë lloj të qeshure dhe komedie e ka fjalën Bergsoni.

* * *
Vëzhgimi i tretë është interesant sidomos në aspektin filozofik: ato përkufizime, të cilat priren ta bëjnë komiken “një lidhje abstrakte mes ideve: “kundërshti intelektuale,” “absurditet i kulluar” etj., janë përkufizime që, edhe nëse do të ishin të përshtatshme për çdo formë të komikes, nuk do të shpjegonin aspak se pse komikja na bën të qeshim. Po si, në fakt, ndodh që kjo marrëdhënie e veçantë logjike, me t’u përceptuar, ndikon, ngacmon dhe trondit gjymtyrët tona, ndërkohë që të gjitha llojet e tjera të marëdhënieve nuk ndikojnë në trupin tonë? Nuk është ky pikëshikimi prej kah duhet t’i qasemi çështjes. Për ta kuptuar të qeshurën, ne duhet ta rikthejmë në mjedisin e saj natyral, që është shoqëria, dhe më së pari të përcaktojmë dobinë e funksionit të saj, e cila është sociale. E tillë, le ta themi qysh tani, do të jetë kryeideja e të gjitha hulumtimeve tona. E qeshura duhet t’u përgjigjet nevojave të caktuara të jetës në përgjithësi. Duhet të ketë një domethënie sociale.
Marëdhëniet logjike nuk na bëjnë të qeshim në vetvete, andaj dhe në kemi nevojë për një përshkrim të procesit që fillon me vëzhgimin e një absurditeti, i cili përfundon në të qeshur. Ndryshe nga disa të tjerë (për shembull Frojdi në Shakatë dhe Lidhja që kanë ato me të Pandërgjegjshmen), Bergsoni nuk dëshiron të jap një shpjegim psikologjik të së qeshurës. Në vend të kësaj, ai e shpjegon të qeshurën me terma funksionaliste: e qeshura është një “gjest social”, një funksion me funksion specifik në shoqëri. Në kreun e fundit, ai bën një shpjegim që, ndonëse është për dramën në vend të komedisë, ndihmon për të shembullizuar idenë e tij:
Sikurse polet e kundërta tërheqin njëra-tjetrën dhe grumbullojnë energji ndërmjet dy anodave të kondensatorit, prej të cilit shkëndija elektrike do të shkrepëtijë, në këtë mënyrë, thjesht duke bërë njerëzit bashkë, ndodhin tërheqje dhe shtytje të forta, të cilat ndiqen nga një humbje e plotë e drejpeshimit, me pak fjalë, për shkak të këtij elektrifikimi të shpirtit që e quajmë pasion. Nëse njeriu do t’i linte të lira impulset e ndjenjave të tij të lindura, nëse nuk do të ekzistonte as ligj social dhe as ligj moral, këto shpërthime të ndjenjës së dhunshme do të ishin rregulli mbizotërues në jetën tonë. Por funksioni kërkon që këto shpërthime të parashihen dhe shmangen. Njeriu duhet të jetojë në shoqëri, dhe kësisoj t’u nënshtrohet regullave. Dhe atë çka e këshillon interesi, e komandon arsyeja: detyra na thërret, dhe ne duhet t’u bindemi këtyre thirrjeve. Nën këtë ndikim të dyfishtë është formuar pashmangshëm një shtresë ndjenjash dhe idesh, të cilat kanë prirje të bëhen të qëndrueshme, me qëllimin për t’u bërë të zakonshme për të gjithë njerëzit, dhe mbulojnë, kur ata nuk janë në gjendje që ta zhdukin, atë zjarrin e brendshëm të pasioneve individuale. Përparimi i ngadaltë i njerëzimit në drejtim të një jete gjithnjë e më të paqtë sociale, e ka përforcuar dalëngadalë këtë shtresë, sikurse jeta e planetit tonë në vetvete ka qenë një përpjekje për të mbulur me zhguall të ftohtë një masë të nxehtë metalesh që përvëlojnë. Por shpërthime vullkanike ndodhin. Dhe nëse toka do të ishte një qenie e gjallë, sikurse mitologjia e ka paraqitur, gjasat më të mëdha janë që, kur është në qetësi, do të mrekullohej nga ëndërrimi i këtyre shëprthimeve të befta, ndërkohë që papritmas rifiton zotërimin e natyrës së saj më të vërtetë. E këtillë është kënaqësia që përcillet te ne në një dramë.
Shoqëria është një produkt i një lloj evolucioni: për një arsye ose një tjetër, historia e njerëzimit duhet të çojë gjithnjë e më shumë drejt një jete të paqtë sociale, nëpërmjet kontrollimit të prirjeve tona antisociale. Çështja e dramës është të na bëjë që të kemi një këqyrje të beftë, brenda vetes sonë, të asaj se nëse nuk do të ekzistonte shoqëria, çfarë do të ishim me natyrën tonë të fshehtë apo natyrën që fshihet. Komdia, në anën tjetër, i shërben shoqërisë nëpërmjet vënies në pah të prirjeve tona antisociale dhe të ftuarit për të qeshur me to, kësisoj, duke na inkurajuar që t’i korrigjojmë.

* * *
“[…] diçka mekanike në diçka që jeton; në fakt, diçka komike.” Kjo është mënyra sesi Bergsoni, si pasojë, përkufizon konceptin e komikes. Kjo “diçka që jeton”, apo thënë thjesht jeta - nga ana e saj, “na e shfaq vetveten si evolucion në kohë dhe ndërlikueshmëri në hapësirë”. Kjo është teza parësore e veprës në një formë kompakte e abstrakte. Argumenti është i vështirë që të përmblidhet, por do të përpiqem ta bëj këtë ide pak më të qartë.
Sikurse e thashë, ideja është që e qeshura shërben si korrigjuese. Është një nga institucionet që ka evoluar, në mënyrë që të bëjë të mundur për njerëzit jetën në shoqëri dhe shoqërinë që të punojë mirë. Ka shumë lloje tiparesh e sjelljesh antisociale, dhe ne vetëm qeshim me disa prej tyre. Ne qeshim me njerëzit, kur sillen në një mënyrë që të jep përshtypjen e një mekanizmi të thjeshtë. Zakonisht, ne presim që njerëzit të vëzhgojnë çfarë po ndodh rreth tyre dhe ta përshtasin sjelljen e tyre sipas saj. Kur dikujt i mungon aftësia për t’iu përshtatur kësaj, ne qeshim me të. Mënyra sesi e qeshura funksionon si korrigjuese, është e dukshme: “Funksioni i saj është të trembë me anë të poshtërimit.”
Autorët komikë përdorin mjete të ndryshme gjatë shkrimit të komedisë. Nuk jam i sigurt nëse lista e tij ka pasur si qëllim që të jetë shterruese, por Bergsoni jep tre shembuj: përsëritja, përmbysja dhe ngatërrimi i ndërsjelltë i rendit të gjërave, pastaj kthehet duke i gjurmuar këto në kukullat e lojërat fëminore - një lodre kuti së cilës, kur ia heq kapakun, kërcejnë jashtë një klloun, marioneta e topat prej bore. Ideja është që “nuk mund të ketë ndërprerje në vazhdimësinë mes gëzimit, që përjeton fëmija në lojërat e tij dhe gëzimit, që përjeton i rrituri”. Ndryshimi mes një krijuesi lodrash dhe një komediani, kësisoj, është minimal: të dy janë në fushën e produktit që na jep “me një kombinim të vetëm, iluzionin e jetës dhe përshtypjen e dallueshme të një produkti mekanik”. Për shembull, një fëmijë luan me një lodër kuti aktuale, ndërsa në një komedi sillen shumë ngjashëm sikurse në një lodër kuti, çka do të thotë, në mënyrë mekanike. Dhe ne qeshim.
Çështja është që prirja korrigjuese për të qeshur mund të përdoret nga autorë komikë, që të na bëjnë të qeshim me gjërat që janë jo në mënyrë të domosdoshme sjellje korrigjuese. Lodra kuti nuk pritet të ndryshojë sjelljen e tij, pavarësisht se sa qesh fëmija. Madje për më tepër, ne qeshim me pamjen e mekanizmit në jetë në sensin më abstrakt. Po të vazhdojmë me të njëjtin shembull, ne mund të na bëjnë të qeshim jo vetëm me njerëzit që janë përsëritës, por me përsëritjen në përgjithësi. Ne priremi të mendojmë se jeta nuk është përsëritëse në vetvete, rrjedhimisht ne qeshim ndërsa shohim një dramë që na jep një përshtypje të mirë për jetën reale, por gjithashtu përfshin një përsëritje të beftë të një ngjarjeje. Në këtë mënyrë, një model për skenat komike dhe ngjarjet është shkëputur e përmbledhur në mënyrë abstrakte, për të reaguar ndaj llojeve të caktuara ngjarjesh nëpërmjet të qeshurës. Duke e dënuar personin aktual përsëritës, duke qeshur me të, ne kemi gjetur mënyra për të shkuar tek e qeshura e parimit të përsëritjes.
Duke shkuar edhe më tej, Bergsoni argumenton që e njëjta gjë zbatohet në komedinë verbale, ose “komiken e krijuar nga gjuha”. Lloje të caktuara të strukturave të fjalëve na bëjnë të qeshim për shkak të cilësive të tyre strukturore, dhe jo sepse ata janë përdorur për të shkruar një ngjarje komike.
Këtu Bergsoni fillon të ecë në tokë më të lëvizshme. Së pari, ai argumenton që mendjemprehtësia (ose shakatë) dhe komedia janë në thelbin e tyre të ngjashme: një shaka është sidoqftë thelbi i një skene ende të pazhvilluar komike. Në këtë mënyrë, një thënie e mençur është saktësisht si një skenë komike, por në “nivelin e fjalëve”. Kjo e vendos Bergsonin në pozicionin e të mëtuarit se komedia verbale krijohet me anë të përdorimit të tre modeleve të njëjta të komedisë teatrale.
Në kreun e fundit, Bergsoni shkruan për komiken te personazhi. Është e nevojshme të rikujtojmë të gjithë vëzhgimin e dytë: e qeshura është e papajtueshme me simpatinë, dhe kësisoj autori komik duhet të shmangë mundësinë që audienca të ndiejë simpati për personazhin. Janë tri gjëra që ia bën për t’ia arritur kësaj. Së pari, tipari që bën për të qeshur izolohet, në mënyrë që personazhi të mos zotërohet prej tij. Tipari thjesht shfaqet befas në një situatë specifike. Së dyti, tipari duhet të shfaqet me gjeste, në vend të veprimeve: veprimet rrjedhin nga ndjenjat për të cilat njeriu ndien simpati, po gjestet thjesht shfaqin ekzistencën e një tipari. Së treti, për ta thënë me pak fjalë, personazhi komik sillet në mënyrë automatike, si humbameno. Defekti tek ai është si një këmbëz që e tërheqin rrethanat. Atëherë cili është tipari që bën më shumë për të qeshur? Kotësia.
Ndofta nuk ka asnjë defekt tjetër më sipërfaqësor a më të ngulitur. Plagët që merr nuk janë asnjëherë serioze, por sidoqoftë rrallë të shërueshme. Shërbimet që i bëhen atij janë më të pavërtetat e gjtihë shërbimeve, dhe sidoqoftë ato janë që marrin mirënjohjen më të qëndrueshme. Rrallë ndodh të jetë një ves, dhe sidoqoftë të gjitha veset mund të korrigjohen, në varësi të tij ato bëhen më të sofistikuara e artificiale, dhe priren të mos jenë më shumë se një mënyrë e të shlyerit të tij. Rezultati i jetës sociale, meqenëse përbën një admirim të vetvetes, pra mbështetet në ndjenjën e admirimit që ne mendojmë se frymëzojmë te të tjerët, është edhe më e natyrshme, më universale prej natyre; sepse egoizmi mund të mposhtet nga natyra, ndërsa vetëm me anë të refklektimit ne përmirësohemi prej ndjenjës së kotësisë.

* * *
Shoqëria, një lloj makine në vetvete, ka mënyra të organizimit të njerëzve në kategori, dhe që një person të jetë anëtar i një kategorie, do të thotë se ai merr tiparet e shoqërisë ku jeton. Një kategori e rëndësishme është ajo e profesioneve, dhe një person i një profesioni mund të kthehet shumë lehtë në një personazh komik, nëpërmjet theksimit të mënyrës sesi vepron ai si pjesëtar i një profesioni, në vend të një qenie njerëzore me gjykim të shëndoshë… Sipas një këndvështrimi etik, e qeshura vështirë se është e pafajshme. Kriteret që ajo përdor, viktimat e saj, nuk janë kritere morale. E qeshura është “thjesht rezultati i një mekanizmi të krijuar brenda nesh prej natyrës ose, çka është pothuajse e njëjta gjë, nëpërmjet çlirimit tonë të gjatë me jetën tonë sociale. Largohet në mënyrë rastësore dhe kthehet në të njëjtën mënyrë. Nuk ka kohë për të parë se ku godet.” Dhe nganjëherë goditjet që jep shkaktojnë dhimbje.
Për ta përmbyllur, filozofi ynë duket se nuk e merr veten më shumë seriozisht, sesa duhet: “është një fakt për t’u shënuar se, sa më shumë i vënë në dyshim është një art, shkencë a profesion, aq më tepër praktikuesit e tij janë të prirur të shohin vetveten si të trupëzuar në një lloj priftërie dhe të shpallin se gjithçka duhet të përulet para mistereve të saj.” Çka ësht ajo që Platoni citon të ketë thënë Sokrati? “Derisa filozofët të jenë mbretër, ose mbretërit dhe princërit e kësaj bote të kenë shpirtin dhe fuqinë e filozofisë, dhe derisa madhështia me mençurinë politike të hasen në një njeri të vetëm, dhe natyrat njerëzore që kërkojnë përjashtimin e tjetrit nuk lihen m’anësh, qytetet nuk do të kenë qetësi nga të këqijat e tyre.”

Përktheu Granit Zela

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›