Rajs: “Kosovës t’i lejohet zhvillimi si shtet i pavarur”
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, ka ritheksuar qëndrimin e Uashingtonit se pavarësia e Kosovës do të çojë në stabilitet të mëtejshëm në Ballkan. “Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Gjermania, kanë njohur Kosovën. Ne dëshirojmë një Ballkan të qëndrueshëm, në të cilin serbët do ta kuptojnë se kanë miq të mirë në SHBA dhe në Bashkimin Europian, dhe për këtë duhet ta lejojmë Kosovën që të zhvillohet si një shtet i pavarur”,-u shpreh Rajs në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e saj gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer. Nga ana e tij, edhe ministri i Jashtëm gjerman ka theksuar nevojën për një Ballkan të qëndrueshëm dhe në këtë drejtim qenësor është stabiliteti i Kosovës, që, sipas tij, nuk është punë e lehtë. “Natyrisht, tani po përballemi me stabilitetin e Kosovës, e cila ka një rëndësi të theksuar kur flasim për Ballkanin Perëndimor, që nuk është një punë e lehtë. Veçanërisht tani, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, kur nacionalistët do të mundohen të përqendrohen në këtë çështje, pra në Kosovën, në përpjekje për të rrënuar një atmosferë proeuropiane. Shpresoj se kjo ide nuk do të materializohet”, - tha Shtajnmajer.
14 Prill 2008