E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, shpërndahet Parlamenti, zgjedhjet e parakohshme në qershor

Pro shpërndarjes së Parlamentit ishin 70 deputetë, asnjë kundër. Lidhja Social-Demokrate: Qeveria tenton t’i ikë përgjegjësisë

Parlamenti maqedonas është shpërndarë gjatë orëve të para të ditës së djeshme dhe kështu Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat pritet të mbahen në fund të muajit qershor, ose në fillim të muajit korrik. Pas 18 muajsh funksionim pro shpërndarjes së Parlamentit u deklaruan 70 deputetë dhe asnjë kundër. Deputetët e tjerë u larguan nga salla e Parlamentit për të mos marrë pjesë në këtë proces votimi. Pro votuan deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim si propozues dhe deputetët e dy partive më të mëdha në pushtet, VMRO-DPMNE dhe PDSH. “Maqedonia largohet, ose i afrohet më shumë NATO-s dhe Bashkimit Europian”, ishte dilema e cila u shtrua në debatin parlamentar gjatë dy ditëve të kaluara që zgjati deri në orët e hershme të mëngjesit të premten dhe të shtunën. Idenë për vetëshpërndarjen e Parlamentit e shqyrtoi të enjten nënkryetari i BDI-së, Rafis Haliti. Ndërsa kundërshtarët e kësaj ideje me në krye Lidhjen Social-Demokrate në opozitë, thanë se qeveria, me mbështetjen e kësaj nisme, tenton që t’i ikë përgjegjësisë, ndërsa vendi do të ngecë në realizimin e reformave të filluara për afrimin në Bashkimin Europian dhe NATO. Deputetët nuk përfillën as sugjerimet e presidentit Branko Cërvenkovski, i cili të enjten doli para tyre dhe tha se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të pengojë bisedimet me Greqinë, ndërsa si pasojë e kësaj do të vonohet marrja e ftesës për anëtarësim në NATO dhe këtë vit nuk do të fillojnë as negociatat me Bashkimin Europian. Me kërkesë të kryeministrit Nikolla Gruevski, u realizua një takim kokë më kokë me presidentin Cërvenkovski dhe sipas kryeministrit ai ka tentuar që ta sigurojë presidentin se zgjedhjet e parakohshme nuk do t’i vonojnë proceset euro-integruese të vendit. Me pesimizëm e panë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme edhe diplomatët europianë. Ambasadorja amerikane në NATO, Viktoria Nulland, sugjeroi që vendi të vazhdojë me zgjidhjen e problemeve kryesore, duke përfshirë këtu edhe çështjen e emrit me Greqinë. Debati dyditor në Parlament u karakterizua me ndërprerje të shpeshta të punimeve, me akuza dhe kundërakuza midis pozitës dhe opozitës.
Që nga koha e pavarësisë së Maqedonisë ky është rasti i parë që Parlamenti i këtij vendi shpërndahet me dëshirë. Sipas të gjitha gjasave, zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në fund të muajt qershor, ose në fillim të muajt korrik.

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›